Berisha kërcënon ushtarakët: Do tu hiqet statusi nëse protestoni
Kryeministri në detyrë, Sali Berisha, reagoi ashpër ndaj protestave që ish-ushtarakët zhvilluan pas vendimit të qeverisë për SHQUP-in. Në mbledhjen e djeshme të qeverisë, kryeministri Berisha tha se nëse ushtarakët do të dalin sërish në protestë do tu hiqet statusi që gëzojnë.
Statusi
Dolën më në protestë në shkelje të statusit, një nga një do të humbasin statusin. Ata marrin një pension të veçantë, sepse kanë një status, deklaroi kryeministri, Sali Berisha. Duke folur për godinën e SHQUP, kryeministri Berisha tha se ajo e ka humbur funksionin e saj. E vërteta është se ajo që quhet Shtëpia Qendrore e Ushtrisë të paktën prej 12 vjetësh ka humbur çdo lloj funksioni qendror. Ajo është shndërruar në shtëpinë e dasmave dhe ceremonive mortore dhe kjo është evidente për çdo njeri që ka pasur rastin të kalojë afër saj. Edhe në rast se aty ka pasur aktivitet, ka pasur dasma apo ceremoni mortore. Por ka një realitet. Aty punojnë 100 punonjës civilë që merren me filmin dhe disa aktivitete. Qeveria, duke parë se kjo shtëpi kishte humbur të gjitha funksionet dhe nuk adaptohej dot për funksione të reja, investoi 140 milionë lekë dhe ka kontraktuar për rikonstruksionin e saj një nga arkitektët më të mëdhenj të botës që ka rikonstruktuar muzeun e peshave në Paris, u shpreh Berisha.
Pretendimet e ushtarakëve
Duke iu referuar qëndrimit të ushtarakëve se Shtëpia Qendrore e Ushtrisë ka qenë një nga qendrat kulturore ku kanë kënduar këngëtarët më të njohur, kryeministri Berisha tha se më thonë se ka kënduar Vaçe Zela, le të vendosim një pllakë aty, apo Gaqo Avrazi, njeri i nderuar. Atëherë hajde ti nderojmë me një pllakë. Por neve nuk na duhen ahengjet që bënte Petrit Dume dhe Hito Çako. Në përfundim, Berisha i përcolli edhe një mesazh kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama. E mbyll, duke i thënë zotit Rama se në atë ciu-ciun e djeshëm ke treguar të gjithë moralin e shpëlarë që ke si njeri. Selia e Partisë Socialiste ka një hapësirë dy herë e gjysmë më shumë sesa selia e Partisë Demokratike dhe askush nuk e ka vënë kurrë në diskutim. Ai qëndrim ishte një qëndrim i hapur armiqësor ndaj forcës kundërshtare, por vetë fjalori ishte gjëja më e denjë për piktorin. Fjalori ishin ngjyrat e tij, tha kryeministri, Sali Berisha.
Vorpsi: PD do ti kthejë SHQUP-it seriozitetin e munguar
Partia Demokratike përshëndeti vendimin e qeverisë, për kalimin e SHQUP-it nën pronësi të saj. Zëdhënësja e kësaj partie, Laura Vorpsi, tha se PD-ja do ti kthejë Shtëpisë Qendrorë të Ushtrisë seriozitetin e munguar. PD përshëndet vendimin për të dhënë godinën publike. Këto vendime janë marrë që prej 90 edhe për parti të tjera, përfshi dhe PS-në. Kjo godinë ka humbur funksionet dhe do ti kthehet serioziteti. Do të modernizohet dhe funksionojë si institucion publik në shërbim të opozitës shqiptar, tha Vorpsi. Në vijim, Vorpsi kritikoi edhe deklaratat e bëra nga kryeministri i zgjedhur, Edi Rama për këtë çështje. Përpos këtij akti sa moral, demokratik dhe ligjor, po del në pah një fenomen i rrezikshëm: lufta e paskrupullt për të minuar aktivitetin institucional të opozitës! Prej më se dy javësh marioneta të pushtetarëve të nesërm kanë nisur një sulm të paprecedent ndaj Partisë Demokratike. Vajtojnë për fatet e një ish-restoranti të ushtrisë ata që vite më parë, për interesa pushteti sakrifikuan të gjithë infrastrukturën ushtarake të vendit, ata që bënë çmos të pengonin hyrjen në Aleancën Veri-Atlantike. Reflekset e njeriut-shtet që ëndërron të bëjë njëherësh kryeministrin, kryeprokurorin, gjykatësin dhe ekzekutuesin, flasin për rrezikun e rilindjes se autokracisë, të rënies së shtetit në duart e një sundimtari, deklaroi Vorpsi.