Berisha kërkon ndihmën e opozitës për letërnjoftimet
Kryeministri Sali Berisha ftoi dje opozitën që të ndihmojë në procesin e pajisjes së qytetarëve me letërnjoftime. Këtë deklaratë Berisha e bëri nga qyteti i Korçës, ku ndodhet në një vizitë dyditore. Gjatë ditës së djeshme Berisha ka vizituar qendrën e aplikimit për letërnjoftimet në komunën e Çëravës. Në këtë qendër kryeministri Berisha u takua dhe diskutoi me banorë të këtij fshati, të cilët po kryenin aplikimin për t’u pajisur me letërnjoftime. Duke i përgëzuar për sensibilizimin që po tregojnë, kryeministri Berisha i nxiti banorët që të vazhdojnë aplikimin, “në mënyrë që të gjithë të ndihemi qytetarë të barabartë me qytetarët evropianë”. Kryeministri Berisha i siguroi qytetarët se qeveria po ndërmerr të gjitha masat, me qëllim që javën që vjen të shpallet skema e përshpejtimit të procesit të rimbursimit të çmimit që qytetarët meritojnë nga aplikimi. “Unë ju siguroj se qeveria do t’i përmbahet pikë për pikë zotimit të saj për rimbursimin e çmimit për kartat e identitetit. Qeveria, në një kohë shumë të shkurtër, do t’ua rimbursojë të gjithë vlerën monetare, ashtu sikurse ajo ka premtuar. Po merren të gjitha masat, me qëllim që javën që vjen ne të shpallim skemën e përshpejtimit të plotë të procesit të rimbursimit të shumave që qytetarët meritojnë nga aplikimi i tyre”, - u shpreh kryeministri Berisha. Gjithashtu, kryeministri ftoi opozitën që të ndihmojë në këtë proces. “Unë ftoj opozitën t’i bashkëngjitet këtij procesi. Do të ishte mirë që deklaratat e tyre të përditshme të shndërroheshin me kontrolle në kuadrin e komisionit parlamentar ose do të ishte mirë që deklaratat e tyre të ishin më pak politike. Opozita ka pushtetin vendor në qytetet e mëdha të Shqipërisë dhe qytetet e mëdha kanë një numër shumë të madh popullate, kanë qendra të shumta aplikimi për letërnjoftime. Pra, është mirë që t’i lëmë zyrtarët vendorë që të shprehin shqetësimet e tyre, në rast se ka. Ata të shprehin mendimet, pavarësisht se cilit spektër politik u përkasin. Por ata nuk duhet t’i politizojnë gjërat, të cilat mendoj se nuk janë as interes i opozitës”, - u shpreh kryeministri Berisha.
13 Prill 2009