E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha shmang zgjedhjet, emëron kryetarin e FRPD-së

Kryetari i PD-së prezanton në Korçë Gerti Bogdanin. Thellohen shkeljet në Statut, shmangen zgjedhjet për këtë post

Eljona Ballhysa
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, vazhdon të shkelë Statutin e PD-së. Pas pozicionimit hapur në mbështetje të Aldo Bumçit për postin e kryetarit të Degës së PD-së në Tiranë, dje kreu i PD-së ka prezantuar gjatë një takimi me të rinjtë e Korçës Gerti Bogdanin si lider të të rinjve. Ky prezantim i Bogdanit nga Berisha është njëherësh emërimi i tij në postin e kryetarit të Forumit Rinor të PD-së. Ndërkohë që zgjedhjet për këtë post nuk janë zhvilluar ende dhe përveç Bogdanit, ekziston një kandidaturë tjetër, ajo e Ylber Gjetës, i cili prej kohësh aderon në FRPD.
Prezantimi publik i Bogdanit nga Berisha i jep fund garës dhe zgjedhjeve për këtë post, por shton dhe një tjetër shkelje të Statutit nga ana e kryetarit të PD-së, i cili po shkel parimin e zgjedhjes së drejtuesve të forumeve të PD-së.
Prezantimi
Gjatë një takimi me të rinjtë e Korçës, kryetari i PD-së prezantoi atë që ai e quajti liderin e të rinjve, Gerti Bogdanin. “Dhe tani dua t’ju paraqes liderin e të rinjve demokratë shqiptarë, Gert Bogdanin. Gerti Bogdani është njëri prej jush, njeri i ndershëm dhe i përkushtuar. Kudo ku shkoi ai na përfaqësoi me dinjitet. Gerti studioi në njërin nga universitetet më të njohura të Shteteve të Bashkuara dhe doli i pari në një mijë studentë. Ai u kthye nga dashuria e madhe për ju dhe për Shqipëri, për të ecur së bashku drejt Shqipërisë në Bashkimit Europian, drejt Shqipërisë së zhvilluar”, - është shprehur Berisha. Ndërkohë që në Tiranë, prej kohësh, një grup anëtarësh të FRPD-së po punojnë në mbështetje të kandidatit tjetër për këtë post, Ylber Gjeta. Ky i fundit ka reaguar për mënyrën e emërimit të Bogdanit. “Jam shumë i indinjuar nga mënyra se si ka dashur të më sfidojë zoti Bogdani, edhe pse zgjedhjet janë në hapin e parë të tyre. Unë jam për garë jo për fjalë në erë. Do të jetë kthim prapa emërimi i kryetarit të FRPDSH-së. Nuk është demokratike të mos ketë garë dhe rivalë në të. Përveç të tjerash, z. Bogdani nuk ka si më njeh mua, anëtarin e hershëm të FRPDSH-së, pasi nuk jam i sigurt nëse ai vetë e ka teserën e anëtarësimit aty. Bogdani nuk ka historik në këtë organizatë të madhe rinore politike apo dhe në PDSH, ndërsa dihet se nga erdhi dhe se si e servirën në PD”, - është shprehur Gjeta. Ylber Gjeta, në vitin 1998, ka qenë anëtar i rithemelimit të forumit Rinor të PDSH-së pas ngjarjeve të vitit 1997, kur FRPDSH-ja pothuajse nuk ekzistonte. Në vitin 1999, deri në vitin 2001, ai ka kryer detyrën e kryetarit të Bordit të Studenteve të FRPDSH-së, që më pas u quajt Grupimit Rinor Universitar Demokrat.
Statuti
Statuti i PD-së nuk i jep asnjë kompetencë kryetarit të partisë që të emërojë kryetarin e Forumit Rinor. Në Nenin 46 të Statutit, që përcakton kompetencat e kryetarit të partisë, nuk është përfshirë zgjedhja e kryetarit të FRPD-së. “Kryetari kryeson organet qendrore të Partisë dhe siguron zbatimin e vendimeve të tyre. Ai e përfaqëson partinë në të gjitha aktivitetet e jetës civile. Ai emëron zëdhënësin e shtypit të partisë si dhe sekretarin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare”, - shkruhet në Statut. Emërimi i Bogdanit është precedenti i dytë që krijon kryetari i PD-së, Sali Berisha, në emërimin e drejtuesve të PD-së, pas Aldo Bumçit.

13 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›