“Bomba” e Adrianos: “Nuk kthehem më në Itali”
Midis Interit dhe Adrianos përfundoi gjithçka. E deklaroi qartësisht vetë sulmuesi, duke folur për gazetarët brazilianë. Të martën e ardhshme, Gilmar Rinaldi, agjenti i tij, do të mbërrijë në Itali për t’i dhënë fund prishjes së kontratës. “Nuk dëshiroj të kthehem më në Itali, - pranoi “Perandori”. “Dy muajt e ardhshëm do të më shërbejnë për të zgjidhur problemet e kontratës me Interin. Ndërkohë nuk dua të marr asnjë kacidhe”. Ideja për të braktisur futbollin ka mbizotëruar shpesh në mendjen e Adrianos. “Mendova të tërhiqem përfundimisht nga futbolli, pasi në Itali më iku dëshira për të luajtur”, - theskoi ai. “Tani jam në Brazil, së bashku me familjen time, më miqtë e mi dhe jam i qetë”. Pas ndarjeve me ish-të dashura të shumta, mjeku i San Paolos, Marko Aurelio Sunja, pohoi se Adriano nevojë të ndiqet nga psikologë e psikiatër, pasi vuan nga shqetësime mendore, që ai nuk arrin t’i kontrollojë. “Nëse ai del natën, nuk arrin t’i kontrollojë. Nuk pi të gjitha ditët, por ka gjithmonë dëshirë ta bëjë këtë. Ata që i rinë tani rreth e rrotull nuk janë miq, por vetëm njerëz që duan të përfitojnë”, - tha mjeku i tij. Adriano Leite Ribeiro, tashmë 27 vjeç, mbërriti te Interi në vitin 2001. Luajti si huazuar te Fiorentina, Parma e San Paolo. Gjatë këtij kampionati me Interin u aktivizua në 12 ndeshje, duke shënuar 3 gola.
Murinjo: “I uroj të jetë i lumtur”
Trajneri i Interit, Hoze Murinjo e priti me trishtim lajmin për Adrianon, duke i uruar këtij të fundit lumturi në jetën e tij pa futboll. “Nuk dua të flas për të, - tha Murinjo në konferencën e tij për shtyp përpara ndeshjes me Palermon, - Interi bëri gjithçka për ta ndihmuar, edhe përpara se të vija unë trajner. Unë vetë, shokët e ekipit, president. E rëndësishme është që ai të jetë i lumtur. Nuk kam folur me të. Kemi pasur mundësinë ta kuptonim më herët arsyet e fjalëve të tij”.
11 Prill 2009