E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha kryeministër?

Share

Nga Mikel Bizhyti

Teksa po parkoja pranë një Starbucks-i për të pirë kafen e zakonshme, përbri meje afrohet një burrë i vjetër, të cilin nuk e kisha parë asnjëherë më parë. Ai me sytë nga stema me flamurin shqiptar, që unë kisha varur në xhamin e përparmë, nuk u mendua gjatë të më pyeste se nga cili vend i botës vija? I them se jam nga Shqipëria, një vend që ndodhet diku në Europë. Menjëherë atij i’u çelën sytë dhe më bëri të ditur se edhe ai europian ishte, pikërisht nga Italia. Më pas më dha përshëndetjen e munguar që në kontaktin e parë dhe më ftoi të pija një kafe me të, nëse unë nuk prisja ndonjë njëri tjetër. Pranova pa asnjë mëdyshje duke menduar se do ndihesha më komod se sa të rrija vetëm. Teksa bëmë prezantimin e rastit, për jetën këtu në SHBA dhe se si jetonim, italiani filloi të më shpjegonte arsyen se përse i kishte bërë përshtypje flamuri shqiptar. Diku e kisha parë më thoshte, por nuk arrija dot ta saktësoja në mendjen time se për cilin flamur bëhej fjalë. Pas këtij momenti atij gjithçka iu qartësua dhe filloi të më tregonte për ngjarjet e ’97, të cilat dukej se i ruante shumë të freskëta në memorie. Personi në fjalë ndodhej në Itali, në kohën kur Shqipëria digjej nga trazirat e ’97 dhe për 1-muaj ai ndoqi nëpërmjet TV-së çdo zhvillim në shtetin fqinj. E dëgjova me vëmendje për disa minuta, pa i ndërhyrë, ndonëse gabimisht kisha marrë rolin e dëgjuesit, ndërkohë që dëgjuesi në rastin konkret duhej të ishte ai. Bëhej fjalë për vendin tim, për një kohë që unë e kam jetuar intensivisht, pa u mbyllur asnjë orë në shtëpi. Më bëri përshtypje gjithçka ai dinte, por mbi të gjitha saktësia që riprodhonte memoria e tij. Tregonte për njerëz të irrituar nga dëshpërimi i skajshëm, të cilët kërkonin paratë e tyre dhe largimin e presidentit të asaj kohe, të cilin e urrenin me shpirt, banda të armatosura deri në dhëmbë, vrasje e përdhunime, anijen e mbytur në Otranto etj. Ai kërkoi menjëherë të dinte fatin e presidentit të asaj kohe, Sali Berisha. Unë e dëgjoja me vëmendje pa e ndërprerë, por ndërsa ai përmendi emrin e Berishës iu përgjigja rrufeshëm se ai është në vitin e 6-të të mandatit të tij si kryeministër i vendit, i sigurt se nuk do të largohet kurrë. Njeriu që për gati 20 minuta fliste me një qetësi të admirueshme, befas u ngrit në këmbë dhe vuri duart në kokë. M’u lut t’i shpjegoja edhe njëherë se cili ishte kryeministri i Shqipërisë? Unë i mësuar nga kjo ide prej nga 2005 dhe pa asnjë impresion ia përsërita emrin. Si ka mundësi, më tha ai, që një njeri i tillë që kishte çuar vendin drejt luftës civile dhe kishte urdhëruar sulmin e jugut të Shqipërisë, të rikthehej në pushtet 8 vite më pas? Pa e fshehur aspak habinë më tha se për rreth një javë TV-të italiane flisnin për një largim të sigurt të presidentit Berisha nga Shqipëria. Sipas tij çdo gjë mund të ndodhte, por që një njëri i tillë të mos dilte përpara drejtësisë, ky është një skandal. Italiani harroi të rrufiste kafen që i kishte mbetur në gotë, ndërsa unë menjëherë mendova me vete se Berisha edhe këtij ja zuri kafen në fyt, po shqiptarët që e kanë duruar edhe në opozitë e jo më tani në pushtet? Më pas fillova unë të flisja për të gjitha zhvillimet kryesore në Shqipëri, pas ’97 me protagonist kryeministrin Berisha. Nga grushti i shtetit ne shtator ’98, brutalitetin e këtij njeriu në opozitë e deri te Gërdeci, 21 janari, skandalet financiare e kërcënimet ndaj kundërshtarëve politikë, tani që është në krye të vendit. Madje i thashë se ky njeri nuk mund ta ketë me vete shumicën e shqiptarëve dhe për këtë arsye manipulon në mënyrë të paskrupullt të gjitha zgjedhjet, mbështetur nga militantë të shtresave më të ulëta të shoqërisë. Një gjë e tillë ndodhi edhe me zgjedhjet lokale të 8 prillit. Unë flisja, italiani rrinte si i ngrirë, saqë më dukej se harronte të merrte frymë. Më pas e mblodhi veten, por ishte i bindur plotësisht se njerëz të tillë janë të rrezikshëm dhe pikërisht për këtë arsye duhet të dalin përpara drejtësisë. Sapo ai përmendi fjalën drejtësi mua m’u kujtuan fyerjet e zakonshme të Berishës për Kryeprokuroren e Presidentin si dhe presioni i jashtëzakonshëm që ai i bën organeve të drejtësisë… Pas më shumë se 2 orësh bisede për Shqipërinë erdhi koha të ndaheshim. Duke më shtrënguar dorën fort në shenjë respekti u shpreh: Njerëz të tillë herët a vonë ndëshkohen nga drejtësia. Deri atëherë ai nuk ka ndërmend të largohet, pse nuk ngrihet populli juaj? Unë ngrita supet pa e ditur edhe sot të jap një përgjigje për këtë, por sapo futa këmbët në makinë m’u rikujtua shprehja e famshme e të ndjerit, Namik Hoti.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›