E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha lobon për Kosovën, Meta për vizat

Lobingu për liberalizimin e vizave për Shqipërinë dhe njohja e pavarësisë së Kosovës nga vendet të cilat akoma nuk e kanë ndërmarrë një hap të tillë ishte qëllimi kryesor i delegacionit tonë gjatë vizitës në SHBA. Kryeministri Sali Berisha i cili po merr pjesë në samitin vjetor të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ka filluar tashmë takimet zyrtare me krerë të ndryshëm të botës. Shefi i diplomacisë shqiptare, Ilir Meta, ka marrë garancinë nga homologët e tij për liberalizimin e vizave për shqiptarët. Ministri i Jashtëm belg, Yves Leterne, për sa i përket liberalizimit të vizave, u shpreh se Shqipëria ka bërë përparime të dukshme në plotësimin e kushteve të udhërrëfyesit të Komisionit Europian dhe shprehu besimin në përmbushjen e shpejtë të tyre nga pala shqiptare, çka do të sillte një reagim pozitiv për këtë qëllim. Meta mori pjesë në darkën Trans-Atlantike e cila u shtrua nga Sekretarja e Shtetit të SHBA Znj. Hillary Klinton. Znj. Klinton i konfirmoi Z. Meta vullnetin e SHBA për një bashkëpunim të ngushtë mes dy vendeve në të gjitha nivelet dhe i theksoi atij besimin e plotë tek roli tepër konstruktiv dhe i rëndësishëm që Shqipëria ka luajtur dhe do luajë si një partnere e afërt e SHBA për mbarëvajtjen e sigurisë, paqes dhe stabilitetit rajonal. Nga ana tjetër, Kryeministri Berisha e ka përqendruar më shumë vëmendjen te stabiliteti i Ballkanit duke lobuar që shumë shtete që ende nuk kanë njohur pavarësinë e Kosovës ta bëjnë atë shumë shpejt. "Do përpiqem të promovoj rezultatet e mëdha që ka arritur Kosova gjatë një viti e gjysmë pavarësi, ndikimin e saj të fuqishëm në paqen dhe stabilitetin në rajon dhe do të ftoj vende mike që akoma nuk kanë marrë vendimin ta njohin Kosovën si një dëshmi e vullnetit të tyre për të kontribuuar më tej në paqen dhe stabilitetin e gadishullit të Ballkanit për të cilin ky gadishull ka nevoja jetike", nënvizoi Berisha. Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, mori pjesë, përkrah liderëve botërorë, në hapjen e Samitit mbi Ndryshimin e Klimës që zhvillon punimet në SHBA. Gjatë seancës së samitit, platenë e përshëndeti Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama, dhe sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun.

Pas ceremonisë, në kuadër të Samitit të Ndryshimit të Klimës, Kryeministri Berisha ishte i ftuar në drekën zyrtare dhe pasdite mori pjesë në tryezën e rrumbullakët të kryetarëve të shteteve dhe të qeverive, të cilët diskutuan gjerësisht mbi këtë temë kaq shqetësuese për mbarë botën. Ndërkohë më herët, Kryeministri Berisha u takua me liderë botërorë dhe drejtues të organizatave ndërkombëtare, pjesëmarrës në sesionin e 64-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, në Nju Jork. Z. Berisha pati rastin të takohet dhe të bisedojë me sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së Ban Ki Mun, me Presidentin e Kinës, Hu Jintao, si dhe me disa homologë të tij, Kryeministrin e Japonisë, Hotajama, Kryeministrin e Kuvajtit, Kryeministrin e Australisë, Kryeministrin e Zelandës së Re. Gjithashtu, Kryeministri u takua edhe me Presidentin e Austrisë, me Presidentin e Finlandës dhe disa personalitete te tjera, të pranishëm në Samit. Gjatë bisedës me ta u diskutua dhe u shkëmbyen pikëpamje mbi zhvillimet në Shqipëri, reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare për integrimin e vendit në BE. Në fokus të bisedimeve ishin gjithashtu edhe zhvillimet ndërkombëtare. Kryeministri Berisha ftoi liderët botërorë të vizitojnë Shqipërinë, si dhe u shprehu atyre gatishmërinë për një intensifikim të marrëdhënieve me vendet e tyre si në rrafshin politik ashtu dhe në atë ekonomik. Ndërkohë, edhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta, i cili ndodhet Nju Jork në kuadër të samitit vjetor të OKB-së zhvilloi disa takime me ministrin e Punëve të Jashtme të Belgjikës, Yves Leterne, atë të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheik Mohammed Bin Rashed Al Maktoum dhe zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të Panamasë, Meliton Arrocha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›