E Shtunë, 31 Tetor 2026

Teksti i historisë, i pandryshuar për një vit

Teksti i historisë 12 i cili është botuar në dy versione do të mbetet i pandryshuar, të paktën deri në fund të këtij viti shkollor. Ky tekst është shpërndarë në të gjitha gjimnazet e kryeqytetit dhe mund të blihet në libraritë shkollore në dy variante, njëri për profilin natyror dhe një tjetër për shkollat e përgjithshme dhe profilin shoqëror. Ka dalë në qarkullim për herë të parë këtë vit dhe tashmë është tërhequr nga të gjithë gjimnazistët në Tiranë. Autorët e tekstit janë Beqir Meta, Muharrem Dezhgiu, Xhevahir Lleshi, ndërsa shtëpia botuese është "Uegen". Çmimi i librit është 480 lekë të reja.

Teksti do të mbetet i pandryshuar, sepse tashmë viti shkollor ka nisur dhe për të kthyer mbrapsht një tekst, për rikorrigjime, rikonfigurime apo ndryshime të tjera duhet një kohë e gjatë dhe zbatim të disa procedurave për të cilat përgjigjen stafe akademike dhe komisione të tëra, hap pas hapi, procedurë pas procedure, fazë pas faze.... Lënda e Historisë do të zhvillohet sipas planit të orëve të mësimit, në përmbushje të udhëzimit të Ministrisë së Arsimit dhe libri përkatës do të jetë teksti i ri i hartuar nga tre autorët. Mësuesit të cilët e kanë parë tekstin kanë sqaruar se historia gjithmonë ka pasur gabime dhe vend për korrigjime, por eficenca e këtij teksti dhe vërtetësia, objektiviteti i tij do të diskutohet më gjerë në fund të këtij viti.

Historia

Në objektivat që ka ky tekst autori shkruan se nxënësit nëpërmjet këtij libri: "Të njohin mirë të parët tanë, mënyrën e jetesës së tyre, cilët ishin ata, virtytet, gjendjen ekonomike e shoqërore, fiset, mbretëritë, zakonet, gjuhën, luftërat, fqinjët, qytetarinë, fenë, marrëdhëniet me pushtuesit.

Në Historinë e Popullit Shqiptar, kreu XXII, gjimnazistët do të gjejnë risitë më të mëdha që janë futur në histori të paktën këto 19 vitet e fundit. Në këtë kapitull "Populli shqiptar në periudhën paskomuniste (1991-2008), ku jepen me nënndarje kryesore këto tema kryesore: ndryshimet demokratike në Shqipëri në vitet 1991-2008, Shqipëria në rrugën e integrimit euroatlantik, shpallja e pavarësisë Kosovë, Diaspora shqiptare pas Luftës së Dytë Botërore. Brenda këtij kapitulli janë të përfshira një sërë çështjesh të diskutuara kryesisht në media vitet e fundit. Çështje këto që sipas historianëve nuk mund të përfshihen në tekste shkollore, ende të papjekura, të pakonsoliduara, të paktën derisa të kenë kaluar nga 15-25 vjet.

Çështjet

Falsiteti komunist i pluralizmit, zgjedhjet e 22 marsit 1992 dhe krijimi i qeverisë së parë postkomuniste, viti 1997 dhe pasojat e tij, vështirësitë në kryerjen reformave, rruga e vështirë e integrimit të Shqipërisë, integrimi i Shqipërisë janë disa nga çështjet më të rëndësishme të kapitullit të fundit të historisë 12, për shkollat e mesme. Gjendja ekonomike, e përfshirë në çështje teknike ekonomike të cilat mbartin pasaktësi dhe në të njëjtën kohë nuk bazohet në asnjë nga raportet ndërkombëtare, përmendim këtu raportet e FMN-së apo Bankës Botërore te të cilat në atë kohë ishin përfshirë edhe kishin ekspertizën e duhur për të analizuar situatën ekonomike, (bëhet fjalë për përshkrimin e situatës ekonomike në vitet ‘92-‘96). Po ashtu, pjesë e historisë së këtij viti do të jetë tragjedia e Gërdecit, çështja "Fazlliç", apo taksa "Majko", rruga Durrës-Kukës-Morinë.

Ndërkohë një pasaktësi jepet në këtë tekst, ndër të tjera autori rendit një pjesë të privatizimeve që janë kryer pas vitit 2005. Por ndryshe nga sa shpjegohet në tekst, deri më sot nuk ka asnjë dokument i cili të vërtetojë që kompania e sigurimeve INSIG është privatizuar. Sakaq, ajo aktualisht është 100 për qind shtetërore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›