Berisha, lot krokodili sa herë ndodhin gjëma
Në pritje të rezultateve të një hetimi të plotë që ka nisur tashmë nga Prokuroria e Vlorës për tragjedinë e së hënës në Qafën e Vishës pranë Himarës, duke shpresuar se ky hetim do të nxjerrë përgjegjësi dhe nga përgje-gjësitë mësime që ngjarje të tilla kaq të dhimbshme të mos na përsëriten më ne shqiptarëve, nuk do të kisha dashur të flisja për këtë tragjedi nëse heshtjen e detyrueshme në këto raste nuk do ta kishte provokuar Sali Berisha dhe shërbëtorët e tij. Tragjedia e së hënës në Himarë e vuri edhe një herë në provë shtetin. Një shtet që gjithmonë dështon sa herë që duhet të bëjë detyrën. Edhe Amnesty International këtë na tha: Shqipëria vazhdon të dështojë në udhëheqjen dhe në drejtimin e vendit. E thënë shqip: shteti ka dështuar. Shoqëria shqiptare dhe ajo civile kanë humbur krejtësisht besimin në autoritetet shqiptare dhe në udhëheqjen e vendit. Edhe Departamenti Amerikan i Shtetit, në raportin e publikuar dje për të drejtat e njeriut në të gjithë botën, ka përgatitur një pjesë të veçantë të titulluar, Humbja arbitrare dhe e paligjshme e jetës, ku ngre shqetësime për problematikat dhe rastet që lidhen me humbjen e jetës në Shqipëri.
Kjo ngjarje e përsëritur me bilanc të frikshëm, jo vetëm që nuk u parandalua, por edhe pasoja e saj nuk u mirëmenaxhua.
U deshën të paktën 13 jetë të reja dhe mbi 20 plagosje që të rikthejmë vëmendjen te cilësia e diskutueshme e rrugëve, mungesa e sigurisë teknike të mjeteve të transportit dhe deri te mënyra se si Universiteti organizoi udhëtimin drejt ferrit.
Menaxhimi i emergjencës ishte sërish një pikë tjetër e dobët. U desh të na ndodhë kjo tragjedi për të rikonstatuar me dhimbje se në spitale nuk ka gjak, nuk ka fasha, jod apo ilaçe të tjera.
U desh edhe kjo tragjedi për të kuptuar se sa i rëndësishëm është Spitali Ushtarak, të cilin interesa të caktuara që lidhen personalisht me Sali Berishën, prej vitesh duan të mbyllin.
Unë nuk e njoh politikën e korbit, as politikën e lotëve të krokodilit. Nuk dua ta njoh. Por sot Sali Berishës dua ti kujtoj akuzat që ai ka hedhur kundër strukturave të qeverisë kur ai vetë ishte në opozitë për një tragjedi shqiptare krejtësisht të ngjashme.
Më 16 tetor 2004, në aksidentin e ndodhur pranë urës së Bicajt humbën jetën 16 gjimnazistë kosovarë. Katër ditë më pas, në seancën e radhës, Sali Berisha akuzonte strukturat e qeverisë: Duke ndjekur të gjitha rrethanat e këtij aksidenti, del absolutisht e qartë si drita e diellit se ai ishte tërësisht i parandalueshëm dhe se ndodhi për shkakun e vetëm se nuk u respektuan ato rregulla, të cilat vetë autoritetet zyrtare shqiptare kanë përcaktuar për qarkullimin në aksin rrugor Tiranë-Kukës. Asgjë nuk duhet të shpëtojë nga ndëshkimi ligjor i atyre, të cilët nuk zbatuan urdhrin e shoqërimit të autokolonës mbasi bëhet e qartë se kemi të bëjmë si shkak me një karambol tërësisht të parandalueshëm në qoftë se autokolona e shkollarëve të Kosovës do të prihej nga një anëtar i Policisë Rrugore.
Edhe aksidenti i tmerrshëm i njërit prej autobusëve me studentët e nisur nga Elbasani mund të ishte parandaluar nëse dy autobusët do të priheshin nga një motor apo makinë policie.
Por edhe pas tetë vitesh, Policia Rrugore nuk e bëri punën e saj, edhe pse Sali Berisha tashmë është Kryeministër. Edhe për disa ditë.
Sokol Olldashi, atëherë deputet i opozitës, aktualisht ministër i Transporteve, deklaronte më 22 nëntor 2004, në një interpelancë me Kryeministrin, se: Ekziston një urdhër i shefit të Drejtorisë Qendrore të Policisë Rrugore, kryekomisarit Gëzim Licaj, për rolin e Policisë Rrugore në sigurimin e transportit të grupeve turistike në akset rrugore të vendit. Është me nr.804/1 protokolli, i datës 25 qershor 2004. Sipas këtij urdhri, dy autobusë ose më shumë duhen eskortuar nga një mjet i Policisë Rrugore. Pse nuk u zbatua kjo urdhëresë dhe si ka mundësi që pas këtij aksidenti tragjik askush nuk u turbullua?.
Vazhdoj të lexoj nga fjala e Olldashit tetë vjet më parë: Është detyrim ligjor, i vendosur që në nenin 1 të Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë, që qeveria të njoftojë çdo vit, brenda muajit mars, për rezultatet e arritura (për reduktimin e aksidenteve rrugore), por edhe për masat që duhen marrë. Nuk di a mbani mend ju ta keni bërë ndonjëherë diçka të tillë, ju ose ndonjë përfaqësues i qeverisë suaj.
Po kjo qeveri a ka raportuar ndonjë vit për sa më sipër? Kemi bilancin më tragjik në Europë dhe ndoshta në botë për aksidentet rrugore në 20 vjet. Gjashtë mijë viktima.
Dhe asgjë ende nuk është bërë për të parandaluar humbjet e jetëve. Kemi aksidente në rrugë sepse nuk respektohet Kodi Rrugor, sepse shoferët nuk kanë frikë nga Kodi dhe polici rrugor. Në një vend ku as Presidenti, as Kryeministri, kryetari i Kuvendit, ministrat nuk respektojnë Kodin Rrugor, si mund të presim që qytetarët e thjeshtë ta respektojnë atë?
Të gjithë na ka ndodhur të ndodhemi përballë apo përbri autokolonave të Presidentit, Kryeministrit apo kryetares se Kuvendit. Duhet të dalësh me gjithë makinë nga rruga sepse një kamikaz i policisë bërtet hap rrugën, ndërsa semaforin as që bëhet fjalë ta respektojnë.
Kryepolici rrugor tha në Parlament pak muaj më parë se pas çdo polici qëndron një deputet. Kemi aksidente në rrugë sepse ka shumë makina që lëvizin jashtë çdo kondicioni teknik. Shqipëria ka 3 mijë autobusë me moshë mesatare 14 vjet.
Në përfundim, më lejoni të them se Sali Berisha nuk mund ta kalojë këtë tragjedi të hidhur vetëm me lotët e krokodilit që i përdor sa herë bën gjëma.
