Berisha mbledh Komitetin e Planifikimit të Strategjive: “Të mos ketë thërrmim të fondeve”
Kryeministri Berisha ka mbledhur dje Komitetin e Planifikimit të Strategjive, ku ka diskutuar për ndarjen e fondit të akorduar nga IPA, i cili është instrumenti financiar kryesor që Komisioni Europian jep në mbështetje të vendeve që aspirojnë integrimin në BE. Gjatë fjalës së mbajtur në këtë takim, Berisha ka kërkuar që fondi prej 81.2 milionë eurosh që jepet vetëm për vitin 2009, të mos thërrmohet në shumë projekte, por të përqendrohet në disa prej tyre, veçanërisht në ato fusha që përbëjnë dhe prioritet për integrimin në BE. “Në tërësi përqendrimi dhe jo fragmentarizmi duhet të jenë një nga parimet që ne duhet të udhëhiqemi në programet që do të përzgjedhim. Është jashtëzakonisht e rëndësishme të shmanget ideja e fragmentarizmave të panevojshme. Një nga risitë më madhore të kësaj qeverie ka qenë qëndrimi i saj antifragmentarizëm. Në rast se sot në mbarë vendin ka vepra të mëdha dhe të dukshme, që po ndërtohen apo janë në ndërtim mijëra kilometra rrugë, qindra shkolla, ujësjellës dhe vepra të tjera publike, ky është rezultat direkt i përqendrimit të fondeve të buxhetit dhe nga donatorët”, - është shprehur kryeministri. Më tej ai u shpreh e se një pjesë e fondit do të shkojë për ndërtimin e rrugëve dytësore dhe për ndërtimin e ujësjellësve. “Së treti, 82 milionë euro të parashikuara, në masën 40-45% të tyre apo 28-35 milionë do të përdoren për projekte, të cilat afrojnë Shqipërinë me standardet e Bashkimit Europian, në shkolla, në rrugë, ujësjellës e infrastrukturë. Mendoj se është e domosdoshme që edhe në këtë fond të përparësohen rrugët rurale dhe ujësjellësit. Asgjë nuk mund ta zëvendësojë zhvillimin e këtij vendi, ripërtëritjen dhe rindërtimin e infrastrukturës, ndaj dhe kjo qeveri në këtë mandat, por edhe në mandatin tjetër në rast se qytetarët shqiptarë e votojnë, do të ketë përqendrimin maksimal në infrastrukturën e vendit”, - është shprehur Berisha.
Në asistencën e programit “IPA 2009”, Shqipëria do të financohet me rreth 81.2 milionë euro, nga totali që Shqipëria ka pasur për periudhën 2007-2009 prej 212 milionë euro.
Nga këto 70.9 milionë euro janë për forcimin e institucioneve dhe 10.3 milionë euro janë për bashkëpunimin ndërkufitar.
22 Gusht 2008