Raporti sekret i SHISH-it për grupet e Fatmir Haklajt dhe të Haki Hoxhës
Luan Kondi
Tiranë – Qytetit të Tropojës i takoi të kishte protagonizmin kriminal thuajse që nga vitet 1992-1993, që kulmin e arriti në vitet 1998-1999. Qyteti verior, i cili në raportet e shërbimit sekret shqiptar konsiderohej si arenë e përleshjes së dy grupeve rivale, Haklajve dhe Hoxhajve, do të përjetonte makthin për vite me radhë. Përleshja e rivalëve i ngjan një lufte të përgjakshme me dhjetëra viktima, që zor se do të marrë fund ndonjëherë, edhe pse bilanci është tragjik.
Raporti i SHISH-it
Gazeta “Albania” ka mundur të sigurojë një material tepër sekret, nëpërmjet të cilit, në vitin 1999 informoheshin Presidenti i Republikës i asaj kohe, Rexhep Meidani dhe kryeministri Pandeli Majko. Shkresa e hartuar nga shërbimi inteligjent titullohet: “Mbi aktivitetin kriminal dhe destabilizues të dy grupeve rivale në rrethin e Tropojës”.
Në faqe të tëra të formatit A4 drejtuesit e SHISH-it u përcjellin autoriteteve të larta shtetërore të dhënat e mbledhura nga informatorët në terren dhe pa dyshimin më të vogël ai i kishte kaluar në filtra të imët. Sipas raportit, shumë persona u vranë në atentate të sofistikuara të tipit mafioz, të mirorganizuara dhe me skenarë të qartë. Në fillim gjithçka nisi për pazare të prishura, pastaj vazhdoi si gjakmarrje, ndërsa politika i hodhi paksa benzinë zjarrit për të mos u shuar asnjëherë. Ndërsa gjatë periudhës së luftës në Kosovë shërbimet serbe duket se e kanë shfrytëzuar situatën për të destabilizuar Shqipërinë, veprim ky për realizimin e të cilit kishin filluar përgatitjet më herët. Në informacion shkruhet se ka të dhëna për vënie në shërbim të zbulimit serb të disa persona nga grupi i Haklajve, por edhe ndonjë nga Hoxhajt. Deri tani askush nuk e ka vënë “ujin në zjarr” të zbulojë se kush është fshehur realisht pas përplasjes së grupeve rivale në Tropojë pas këtij rivaliteti mafioz, pra të dijë se kush përfitoi nga përgjakja e dy fiseve të njohura të Tropojës.
Grupet rivale
Informacioni tepër sekret i SHISH-it nis me konstatimin: “Në vitin 1993 veprimtaria e këtyre dy grupeve ka krijuar një situatë destabilizuese në të gjithë rrethin e Tropojës. Aktiviteti i tyre ka konsistuar në vrasje, grabitje, vjedhje etj. Përplasja e këtyre dy grupeve rivale ka sjellë vrasjen e më shumë se 20 personave”. Përshkrimi i grupeve nis me atë të Haklajve, që sipas informacionit, e ka filluar aktivitetin në vitin 1992 dhe përbëhej nga persona me lidhje familjare, miqësore dhe shoqërore. Informacioni përshkruan si më kryesorët vëllezërit Haklaj; Hamdi, Halil, Fatmir, Shkëlqim e Ylli Haklaj. Madje në informacion janë shënuar të vrarë dy prej vëllezërve Haklaj (Shkëlqimi dhe Halili), pasi informacioni është dhënë para vrasjes së Fatmirit, para 4 dhjetorit të vitit 1999, kurse Ylli Haklaj u vra një vit më pas, më 3 dhjetor 2000. Duke raportuar rreth grupit të Haklajve, shërbimi inteligjent përmend si pjesëtarë të këtij grupi edhe Jaho Mulosmanin (ish-shef i Rendit në Komisariatin e Tropojës), i cili është kushëri i parë nga nëna me Haklajt; Feriz Kërnajën, ish-i dënuar për krimin e vrasjes (ku thuhet aktualisht i vrarë). Më pas radhit si anëtarë të kësaj bande Yrysh Manin, Agron, Shpëtim dhe Avni Gjyriqin (ky i fundit shkruhet se është kushëri nga nëna me Haklajt), Agron Gjocën dhe babin e tij, Hazirin (të vrarë), Hydajet Gjecin e të tjerë. Më tej informacioni përqendrohet në të dhëna të mëtejshme për Halil Haklajn dhe Feriz Kërnajën, ku shkruhet se “disponohen të dhëna për veprimtari në shërbim të zbulimit serb. Sipas një informacioni, del se Halil Haklaj mbahej në lidhje nga koloneli serb i KOS-it (Shërbimi Informativ Ushtarak) Streten Ganoviç e një oficer tjetër i këtij shërbimi. Në marrëdhënie me ta përdorte pseudonimin ‘Moni’. Feriz Kërnaja, në vitin 1990, kalon ilegalisht kufirin dhe kapet e dënohet me tre muaj burg nga jugosllavët. Lirimi i tij nga burgu dhe kthimi i tij në Shqipëri, sipas informacioneve tona, është bërë me kombinacion nga shërbimi serb, pasi kanë realizuar vënin e tij në shërbim të këtij zbulimi. Edhe vrasja e Isuf Halucës (lidhja e ngushtë e Azem Hajdarit) është e iniciuar nga zbulimi jugosllav, pasi sipas të dhënave, ishte vënë shumë kohë më përpara në shërbim të këtij zbulimi”.
Informacioni i shkruar, teksa detajon gjetjen pa jetë të trupit të Bislim Demirit, lidhje shoqërore e Haki Hoxhës, më 28 gusht 1998, përmend se “në ngarkim të tij disponoheshin materiale për veprimtari në shërbim të zbulimit serb. Dyshohej si autor i vrasjes së kosovarit Ilir Kunashefci ‘Mërgimi’, nga Podujeva e Kosovës dhe doktor Hazir Males më 09 maj 1998, në fshatin Porave të Pukës. Që të dy njiheshin si lidhje shoqërore të familjes Haklaj”. Pas këtyre të dhënave, dy krerët më të lartë të shtetit të asaj kohe, Meidani dhe Majko, informohen për rastet e kryerjes së veprave penale nga ky grup. Dhe nisja bëhet me Hamdi Haklajn, më të madhin e vëllezërve. Në informacion shkruhet se në vitin 1992, pas shpërbërjes së kooperativave bujqësore, nis konflikti mes Hamdi Haklajt, ish-kryetar kooperative dhe Mustafë Shpatit, ish-shef i financës, pasi nuk arrihet kompromisi për ndarjen (vjedhjen) e një sasie të hollash të mbetura nga mbyllja e aktivitetit të kooperativës. Më datë 21 shkurt të vitit 1992 gjendet i vrarë me mjete të forta, poshtë një ure në fshatin Sopot të Tropojës, Mustafë Shpati. Si autorë të kësaj vrasjeje arrestohen Hamdi dhe Halil Haklaj, të cilët lirohen pas gjashtë muajsh për mungesë provash. Në informacion shkruhet se shumë njerëz shpreheshin se këtë vrasje e kishin kryer vëllezërit Fatmir e Ylli Haklaj. Informacion jepet edhe për një vrasje më 7 korrik të vitit 1993, në vendin e quajtur Maja e Shkëlzenit. “Në grindje e sipër, Hamdi Haklaj, në prezencë të njerëzve të tjerë, vret me pistoletën e tij, që e mbante pa leje, vëllezërit 23 dhe 25 vjeç, Guxim dhe Besim Dema, pas kësaj ngjarjeje u largua për dy vjet në Gjermani”.
Konflikti dhe vrasjet e Haklajve
Në informacionin e detajuar për Fatmir Haklajn shkruhet se “në trazirat e vitit 1997, me shpërbërjen e Komisariatit të Policisë së Tropojës, ‘Komiteti i Shpëtimit’, i përbërë nga forcat politike, aktivizon Fatmir Haklajn për riorganizimin e komisariatit dhe vendosjen e rendit dhe të qetësisë”. Nga fundi i këtij viti Fatmiri emërohet shef i Komisariatit të Tropojës. Më datë 18.09.1997 oficeri i Policisë së Komisariatit të Shkodrës, Haki Hoxha, bashkë me Guxim Binerajn, organizojnë një miting të paligjshëm, të iniciuar nga opozita. Fatmir Haklaj, duke qenë në detyrën e shefit të Komisariatit, nuk lejon zhvillimin e këtij mitingu, merr pjesë në shpërndarjen e tij duke qëlluar me shuplakë Haki Hoxhën. Këtu nis edhe konflikti i hapur mes dy grupeve rivale, që do të pasojë me një serial vrasjesh, të cilat do ta mbajnë gjatë në vëmendjen e opinionit publik qytetin verior. Më 5 janar të vitit 1998, në orët e pasdites vriten me armë zjarri në një pritë Shkëlqim Haklaj (vëllai i Fatmirit) dhe kunati i tij, Artur Demiri. Së bashku me ta në makinë udhëtonte dhe polici Avdi Mehmet Buçpapaj, i cili plagoset lehtë. “Sipas pjesëtarëve të familjeve të viktimave, organizatori i këtyre vrasjeve ishte Haki Hoxha, nga fshati Luzhë e këtë, sipas tyre, e ka bërë në bashkëpunim me pjesëtarët e grupit të tij në shenjë hakmarrjeje ndaj fyerjes publike që i pati bërë Fatmir Haklaj”, - shkruhet në informacion. Duke vijuar, në informacion jepen të dhëna edhe rreth vrasjes së oficerit të Policisë Kufitare, Shaqir Hoxha (vëllai i Haki Hoxhës), ku thuhet se “pas kësaj ngjarjeje, Fatmiri, te PTT-ja e qytetit hipën në makinën e Arjan Malajt e largohet jashtë qytetit. Qëndron i fshehur për disa kohë dhe pas trazirave të 14 shtatorit nis punën si komandant i Repartit të Policisë Tropojë”.
Një ngjarje tjetër që fokusohet në raport është edhe vrasja e një lidhjeje shoqërore të Fatmir Haklajt, Agron Gjocës. Sipas të dhënave që raportohen në informacionin e dhënë, Agron Gjoca mohonte të kishte tërhequr kredi nga Banka e Kursimeve për biznes së bashku me Shkëlqim Haklajn për t’i përvetësuar, ky mendohet edhe si shkak i ekzekutimit të Agronit.
Një ngjarje tjetër ku informatorët e shërbimit të fshehtë japin të dhëna është edhe ajo e Qazim Dizdarit. Sipas informacionit, Dizdari, ish-oficer, pronar i një lokali privat, u vra më 03.02.1998 në orën 08:00 të mëngjesit, në afërsi të Gjykatës së rrethit nga një person me makinë. Qazimi kishte shkuar në shtëpinë e Haklajve për ngushëllim për vdekjen e Shkëlqimit dhe aty është shprehur: “Ne nuk i kemi borxh njëri-tjetrit, d.m.th. se ju vramë djalin, Shkëlqimin, më 5 janar 1998, ju më vratë vëllin, Naim Dizdarin, më 6 janar 1998”. Haklajt nuk u ndien, por heshtja e tyre, thuhet në raport, lë të kuptohet se vrasja është realizuar nga grupi i tyre.
Vrasjet vazhdojnë. Raportohet për një tjetër, atë të Sali Hoxhës, kunatit të Haki Hoxhës, dhe autorët nuk kanë ngurruar ta kryenin ekzekutimin përpara pallatit të tij me “armë automatike nga një makinë që drejtohej nga shoferi i Prokurorisë, Arjan Malaj, pjesëtar i grupit të Haklajve”, - shkruhet fjalë për fjalë në informacion. Pjesëtarët e grupit të Haklajve mendohen edhe si autorët e plagosjes së ish-punonjësit të Televizionit Shqiptar, Bardhyl Pollo. “Më 3 qershor 1998, rreth orës 23:00, në lagjen ‘Partizani’ plagoset me armë zjarri Bardhyl Pollo. Ai shoqërohej nga deputeti Azem Hajdari, të cilët në këtë moment po shkonin drejt shtëpisë së deputetit. Kemi informacione se autorët e këtij atentati janë pjesëtarë të grupit të Haklajve”, - shkruhet në informacion. Po ashtu përmenden goditjet me top 75 mm të shtëpisë së Haki Hoxhës në fshatin Luzhë dhe vetë Hoxha është shprehur se goditjen e kishte nga Haklajt. Haklajt bëhen përgjegjës në raport edhe për vjedhjen e bankës së Bajram Currit më 28 tetor 1998 dhe po sipas informacionit të SHISH-it, ishin pikërisht këta që nuk e kanë lënë grupin hetimor të hetojë ngjarjen, duke fikur dritat e qytetit e duke i kërcënuar që të largoheshin.
“Më 25 janar 1999, rreth orës 18:00, vritet me armë zjarri në një nga rrugët e qytetit Bajram Curri, inspektori i Policisë së Rendit, Muse Denisha, lidhje familjare e Haki Hoxhës. Sipas informacioneve tona, autori i kësaj vrasjeje është nga grupi i Haklajve”, - shkruhet në raportin sekret të SHISH-it edhe për një vrasje tjetër. Si ngjarje e dokumentuar është edhe ajo ku Feriz Kërnaja vret ish-kunatin, pasi ai i ndau motrën, vrasje e realizuar më 17 nëntor 1998, apo vrasja në Tiranë e Gani Nezës më 24 maj 1998, që i faturohet Halil Haklajt dhe dy personave të tjerë të paidentifikuar. Menjëherë pas atentatit ndaj Fatmir Haklajt, më 4 gusht 1999, ku mbetën të vrarë Halil Haklaj dhe Feriz Kërnaja, Ylli Haklaj dhe Jaho Mulosmani ekzekutojnë në shenjë hakmarrjeje Bislim Hykën dhe Isuf Bashkurtin. Grupin e Haklajve informacioni e përcakton edhe si autor të vjedhjeve të disa makinave të OSBE-së dhe të Kryqit të Kuq, të institucioneve shtetërore apo dhe private. “Ky grup, shkruhet në raport, i ka shitur thuajse me zor 150 mijë dollarë armatim dhe municion ushtarëve të UÇK-së, me pretendimin se nuk do t’i linin më të vepronin në zonën e Tropojës. Pjesëtarët e këtij grupi, Fatmir Haklaj, Jaho Mulosmani dhe Feriz Kërnaja, sipas informacioneve tona, janë autorët e vrasjes së deputetit Azem Hajdari. Për gjithçka më sipër kemi informuar në vazhdimësi Presidentin dhe kryeministrin e Republikës. Theksojmë se ky grup në vazhdimësi ka shfaqur dëshirën për të vrarë ish-presidentin Sali Berisha, gjë për të cilën ky i fundit ka dijeni. Të njëjtën tendencë kanë shprehur edhe ndaj deputetit Shaban Memia”.
Grupi i Haki Hoxhës
“Haki Adem Hoxha është nga fshati Luzhë i rrethit Tropojë”, - shkruhet në informacion, i cili daton në vitin 1999. Duke iu referuar këtij të fundit, Hoxha, në vitin 1983 ishte dënuar me 9 vjet heqje lirie për tentativë arratisjeje dhe ishte liruar para kohe për arsye amnistie. “Rreth vitit 1991, me fillimin e proceseve demokratike, Hakiu kalon ilegalisht në Jugosllavi e prej andej në disa shtete të Europës Perëndimore si Gjermani, Austri etj. Në ngarkim të tij disponohen materiale për vënien në shërbim të zbulimit serb, është marrë me trafiqe të ndryshme dhe si i tillë ka qenë në kërkim nga Interpoli. Në vitin 1995, pasi vjen nga jashtë vendit si i përndjekur politik, titullohet oficer dhe emërohet shef Rendit në Komisariatin e Tropojës. Në fund të vitit 1996 transferohet me detyrë shef Krimesh në Komisariatin e Bulqizës. Pas disa muajsh transferohet në Shkodër, me detyrë oficer i Policisë Kufitare. Pjesëtarët e këtij grupi janë në moshë të rritur, të arsimuar, kanë lidhje familjare dhe miqësore midis tyre, por shumë prej tyre janë vrarë. Ky grup ka kryer një aktivitet kriminal shumë të kamufluar, duke vepruar me shumë kujdes. Ka në përdorim lloje të ndryshme armësh dhe mjete ndërlidhjeje. Si pjesëtar të këtij grupi njihen Shaqir Hoxha (i vrarë), vëllai i Hakiut, Bislim Demiri (i vrarë), Avdyl Matoshi (i vrarë), Naim Dizdari (i vrarë), kunati i Hakiut, vëlezërit Sokol e Shkëlzen Kurtbala. Njëri nga lidhjet e këtij grupi është shprehur se është e vështirë të njihen pjesëtarët e këtij grupi, pasi veprimet i kryejnë me shumë kujdes dhe në fshehtësi”, - precizohet në informacionin e SHISH-it për grupin “Hoxha”. Më tej informacioni vijon me aktivitetin kriminal të këtij grupi, ku i faturohet vjedhja e 3 milionë lekëve të Komunës Bytyç, që shoqëroheshin nga Haki Hoxha dhe vëllai Shaqiri, dhe po kaq në të njëjtën situatë të Komunës së Llugajve, ngjarje të ndodhura në 1995-n dhe 1997-n. Ky grup është autor i vrasjes më 5 janar 1998 në Qafën e Luzhës, në një atentat me armë zjarri automatike, të Shkëlqim Haklajt dhe kunatit të Fatmir Haklajt, Artur Demiri. Ndërsa më 6 mars 1998 u vra po nga grupi i Haki Hoxhës, Arjan Malaj, lidhje e ngushtë e Fatmir Haklajt. Sipas informacionit të SHISH-it, në nëtor të vitit 1998 Haki Hoxha, i maskuar, vret Sali Hoxhën (Kuçanën), kryeplak i fshatit Rragam të Tropojës, vrasje kjo e parë edhe nga Avdyl Koka, që është kërcënuar nga Hakiu se po të fliste do ta eliminonte. “Më 5 maj të vitit 1999, në vendin e quajtur Parvove të Pukës, vriten me armë zjarri Ilir Kunashevci, nga Podujeva e Kosovës dhe Hazir Malaj, mjek, që të dy lidhje të ngushta të Fatmir Haklajt. Nga shkëmbimi i zjarrit midis dy palëve mbeti i vrarë Agim Demiri, lidhje e Haki Hoxhës. Agimi, bashkë me vëllain, Bislim Demiri, shofer në Komisariatin e Policisë Tropojë, i kanë mbajtur në vëzhgim viktimat për rreth 10 ditë në Tiranë dhe kur ata janë nisur për në Tropojë i kanë ndjekur me makinën e tyre derisa i kanë kaluar në Fushë-Arrëz dhe më pas u kanë zënë pritë dhe i kanë vrarë”, - shkruhet në raport. Sipas informacionit, pjesëtarët e këtij grupi janë autorët e disa pritave me mina ndaj Fatmir Haklajt e grupit të tij.
Atentatet ndaj Haklajve
5 janar 1998 - Vritet në Qafën e Luzhës, në një atentat me armë zjarri automatike, Shkëlqim Haklaj dhe kunati i Fatmir Haklajt, Artur Demiri
4 gusht 1999 - Vriten në afërsi të fshatit Cernicë, me mina të telekomanduara, Halil Haklaj e Feriz Kërnaja, plagosen rëndë Fatmir Haklaj e Fatmir Daka
4 nëntor 1999 - Vritet në një pritë në fshatin Bujan, 50 metra larg banesës së Jaho Salihit, Fatmir Haklaj dhe Sami Kërnaja, plagoset Jaho Salihi
13 shtator 2000 - Sulmohen me armë snajper nga një komando, në fshatin Kërnajë, Haklajt. Autorët tentojnë të vrasin Hamdi dhe Ylli Haklajn, por dështojnë
3 dhjetor 2000 - Vritet me armë snajper nga një komando me njerëz të armatosur vetëm Ylli Haklaj dhe plagoset Bilbil Selivrada. Vrasësit të panjohur
28 mars 2001 - Sulmohen me armë zjarri nga një komando me njerëz të armatosur Haklajt. Shkëmbehet zjarr për më shumë se 30 minuta
8 maj 2002 - Vriten pas një atentati pranë spitalit të qytetit, Elez Haklaj 70 vjeç dhe djali i tij Çelë Haklaj, 43 vjeç. Autorët largohen dhe djegin makinën
20 qershor 2006 - Qëllohet me një plumb kulla e Haklajve. Denoncimi u bë nga qiraxhiu që jetonte në katin e parë të shtëpisë, Manush Selivrada
18 korrik 2006 - Herën e dytë që do të qëllohej me armë në drejtim të kullës plumbi ka kaluar fare pranë kokës së qiraxhiut. I trembur ai njoftoi policinë, e cila konstatoi gjurmën e lënë prej plumbit, qëlluar me një armë snajper nga kodra përballë shtëpisë
24 korrik 2006- Kulla e Haklajve goditet me predha artilerie. Njëra predhë bie në çatinë e kullës, duke shkaktuar dëme materiale, ndërsa predha tjetër u gjet e paplasur në ballkonin e kullës në katin e dytë të saj. Qiraxhiu shpërngulet bashkë me familjen për në qytet
14 gusht 2006- Pesë persona mendohet të jenë angazhuar ndërsa gdhihej 14 gushti, për të spërkatur me benzinë të tria katet e kullës së Haklajve. Zjarri përpiu të gjitha orenditë dhe trarët e ndërtesës, duke e shndërruar atë në gërmadhë.
16 shtator 2006 - Hidhet në erë me C4 kulla e Haklajave në Kërnajë të Tropojës. Një sasi e konsiderueshme eksplozivi është vënë në katër anët e kullës duke e rrafshuar plotësisht atë
Pse botohet ky material
Shumë prej ngjarjeve të përmendura në këtë dokument sekret të Shërbimit Informativ Kombëtar janë të njohura për opinionin publik shqiptar nëpërmjet medias. Arsyeja që gazeta “Albania” vendosi ta botojë këtë raport ka të bëjë me faktin se çfarë ndodh në një vend apo në zona të caktuara të tij kur shteti nuk ekziston. Raporti informativ në fjalë u është dërguar në vitin 1999 presidentit Rexhep Meidani dhe kryeministrit Pandeli Majko. Njerëzit që kanë mbajtur këto shënime kanë qenë njerëz të shërbimit të fshehtë. Ata ishin të vetmit njerëz që mund të qarkullonin në ato zona në atë kohë. Edhe pse ky shënim u drejtohej njerëzve më të lartë të shtetit, është i pavlerë. Kjo sepse shteti në këto zona, në atë kohë, nuk ekzistonte. Faktet e këtij dokumenti, të copëzuara si ngjarje më vete, janë të njohura në media për lexuesin shqiptar, por të ndërtuara bashkë ato tregojnë se ç’mund të ndodhë në një vend dhe sesi mund të kthehen zona të tëra të territorit të Shqipërisë në një xhungël kur shteti nuk ekziston. Ky është shkaku që gazeta “Albania” e boton këtë dokument, që mban siglën “sekret”. Njerëzit që informojnë shtetin në këtë rast janë vërtet duke bërë punën e tyre, por informacioni që ata japin në dy zyrat më të larta të shtetit është i pavlerë për faktin e vetëm sepse shteti në ato zona mungonte.
22 Gusht 2008