E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtyhet për në muajin tetor ndarja e parave për kompensimin e ish-pronarëve

Grupi ndërministror pritet të përfundojë rivlerësimin e çmimeve të tokës. Burime nga AKKP-ja: Kompensimi i pronarëve do të nisë pas miratimit të hartës së re

Eljona Ballhysa
Grupi ndërministror, i ngritur nga Këshilli i Ministrave me pjesëmarrjen e ekspertëve të Ministrisë së Bujqësisë, Financave dhe Agjencisë Kombëtare të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave pritet të ketë gati hartën e re të çmimit të tokave në fund të muajit tetor. Burime nga AKKP-ja kanë bërë të ditur për gazetën se ky grup prej kohësh ka nisur rivlerësimin e çmimeve të pronave, të cilat janë të ndryshme në zona të ndryshme të vendit. Me miratimin e çmimeve të rivlerësuara të tokave duket se do të nisë dhe procesi i kompensimit financiar të ish-pronarëve. Për vitin 2008 qeveria ka miratuar në buxhetin e shtetit një fond prej 5 milionë lekësh për kompensimin financiar të ish-pronarëve, fond ky, i cili ende nuk ka filluar shpërndarjen. Sipas burimeve, pritet miratimi i hartës së re të vlerës së tokës dhe më pas fillimi procesit të kompensimit financiar të ish-pronarëve. Duket se ky proces është lënë për t’u realizuar në muajt e fundit të këtij viti, ashtu sikurse u realizua dhe vitin e kaluar.
Problematika
Në muajin shkurt të këtij viti qeveria miratoi ndryshimet në hartën e vlerës së pronave të paluajtshme në qarqet kryesore të vendit. Pikërisht për qarqet e Tiranës, Durrësit, Elbasanit, Fierit, Vlorës dhe Shkodrës u miratuan hartat me vlerat e reja të tokave bujqësore, sipërfaqet e livadheve dhe kullotave, sipërfaqet pyjore, vlerat e trojeve në zonat rurale, vlera e trojeve në zonat urbane të qyteteve si dhe vlerat e trojeve në qendrat e banuara. Në relacionin që i bashkëlidhej vendimit të qeverisë renditen disa nga problemet që janë vënë re gjatë zbatimit të Metodikës së Vlerësimit e cila është miratuar nga parlamenti dhe që po rishikohet edhe nga grupi i ekspertëve. Kështu bëhet e ditur se planet rregulluese nuk përmbajnë të plotësuar koeficientet e duhura, ndërsa planet rregulluese të miratuara para viteve ‘90 nuk përputhen me vijën kufizuese të ndërtimeve. Për disa qytete nuk ka studime urbanistike të miratuara. Lejet e ndërtimit për periudhën 2001-2006 nuk kanë të dhëna për koeficientet që përcaktojnë pjesën e pronarit në zhvillimin e ndërtimit etj. Ndërsa për përcaktimin e hartës së vlerës së pronës për zonat turistike dhe industriale ka mungesë informacionit përsa u përket treguesve të zhvillimit, po ashtu dhe treguesve hartografikë. Nga ana tjetër, mësohet se rishikimi i hartës është bërë dhe për shkak se duke u bazuar në metodikë vlera e zonave industriale del shumë herë më e lartë nga sa ajo që është realisht në tregun vendas. Ndaj dhe ekspertët kanë menduar se është e nevojshme që të ketë ripërshtatje të situatës. Për të përcaktuar vlerat e reja të trojeve ekspertët duhet të analizojnë të gjithë treguesit e lejeve të ndërtimit të dhëna nga viti 2001 e në vijim. Po kështu, duhet marrë parasysh çmimi i shitjes së banesave nga Enti Kombëtar i Banesave, si dhe të dhënat fiskale nga drejtoritë e tatim-taksave, si dhe çmimet që vijnë nga tregu i lirë nga agjencitë imobiliare. Pas mbledhjes së informacionit nga të gjitha institucionet e lartpërmendura operohet me çmimin mesatar.
Fondi
Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Ish-pronarëve ka bërë të gjitha përgatitjet për ndarjen e fondit, ndërkohë që është në pritje të miratimit nga qeveria të vendimit për procedurat që do të ndiqen për të realizuar kompensimin financiar të ish-pronarëve. Drejtues të kësaj agjencie bëjnë të ditur se megjithëse fondi prej 500 milionë lekësh është miratuar në buxhetin e shtetit nuk është miratuar ende udhëzimi për mënyrën e shpërndarjes së tij, vendim ky, që i hap rrugën procesit të kompensimit financiar të ish-pronarëve. Fondi prej 500 milion lekësh është parashikuar për vitin 2008, ndaj dhe ky fond duhet të ndahet medoemos brenda këtij viti. Nëse kalon afati, ky fond digjet. Me daljen e vendimit të qeverisë, do të njoftohen ish-pronarët për datat në të cilat fillon pranimi i kërkesës së tyre për përfitimin e kompensimit. Ish-pronarët duhet të paraqesin në dosjen e tyre vendimin e komisionit të kthimit të pronave, aktin e trashëgimisë, si dhe prokurën që i jepet personit për të ndjekur procesin. Më pas agjencia merret me verifikimin e dokumentacionit të paraqitur dhe pas mbledhjes së informacionit të nevojshëm jepet ose jo konfirmimi për kompensimin financiar apo dhe për kthimin fizik të pronave ish-pronarëve. Pronarët që do të bëhen pjesë e procesit të kompensimit financiar do të jenë ato që paraqesin të parët kërkesën. Pra ndarja e fondit do të bëhet në mënyrë kronologjike dhe jo sipas një përzgjedhje të rastësishme.

22 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›