E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha mbledh kabinetin ne takimin e fundit ekspoze e tete vite qeverisjeje

Kryeministri Berisha zhvilloi sot mbledhjen e tij të fundit, e cila shënon dhe takimin e 425 të kabinetit qeveritar të drejtuar nga Partia Demokratike dhe kreu i saj.

Sipas kreu të ezkekutivit në këto tetë vite janë miratuar 7255 ligje e vendime, nga këto 5960 vendime, 1992 ligje, 47 akte normative që kanë përbërë infrastrukturën ligjore të të gjithë fushat.

Gjatë fjalës së tij në këtë mbledhje, Berisha shprehu mirënjohje dhe falenderim për mbështetjen që qytetarët i dhanë mazhorancës së PD përgjatë këtyre tetë viteve.

Në fillim të fjalës së tij Kryeministri evidentoi faktin se përgjatë qeverisjes së vendit “dy kanë qenë objektivat e të gjitha objektivave: integrimi i vendit dhe Shqipëria vend i zhvilluar”.

Ndalur në prioritetin e parë, kreu i qeverisë radhiti përmbledhtazi etapat e ndjekura nga institucionet shqiptare që në fazat e para të procesit e deri sot kur vendi është në pritje të marrjes së statusit të vendit kandidat.
Ndaj në këtë kontekst Berisha vlerësoi dhe njëherësh falenderoi si ministritë ashtu dhe agjencitë përkatëse që sollën në një nivel të tillë procesin e integrimit.
“Në rrugën e integrimit shqiptarët janë përball me vështirësi më të mëdha sesa kombet e tjera. Nuk ekziston në Europë politika armiqësore për shqiptarët. Por është e gabuar të thuash që nuk ekzistojnë albanofobët, pasi ato ekzistojnë në të gjitha nivelet e institucionet. Ndrëkohë që në rrugën tonë na rastisi që fatkeqësia ishte jo nga jashtë po brenda në shtëpinë tonë, si asnjë komb tjetër, na takoi që një forcë kryesore në opozitë të jetë bllokuese e procesit”, vuri në dukje Berisha.

Për këtë arsye, Kryeministri garantoi mbështetjen dhe përpjekjen e pandalshme të opozitës së re parlamentare në realizimin e plotë të procesit të integrimit.
"Personi që u votua për të ardhur në pushtet nuk duhet të përdorë interesat e tij meskine të pushtetit për të bllokuar këtë proces. Ne qëndrojmë fuqishëm në mbështetje të procesit të integrimit, ne do luftojmë në interes të këtij procesi", deklaroi Berisha.

Gjithashtu, një tjetër prioritet i dytë është dhe Shqipëria vend i zhvilluar po aq i rëndësishëm sa dhe integrimi.
Në vlerësimin e Kryeministrit "Shqipëria e zhvilluar është një projekt madhor dhe jetik, por një projekt i tillë në 2005 ishte i pa imagjinueshëm, e parë në çdo aspekt infrastrukturor".

Megjithatë në listën e gjatë të arritjeve dhe reformave që bënë të mundur progresin në fund të këtyre tetë viteve, kreu i qeverisë vlersoi maksimalisht luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

“Shpartalluam mbi 206 banda kriminale në vend të cilat funksiononin kudo. Realizuam sistemin e prokurimit publik 100% elektronik, duke zhdukur kështu korrupsionin në vend. Lufta kundër korrupsionit është beteja më e ashpër”, deklaroi ai.

Përballë këtyre arritjeve, vjen një tjetër alternativë, e cila për Kryeministrin, nuk ofron zhvillim, përkundrazi.

“Një pyetje dua t`i bëj të gjithë shqiptarëve. Shqiptarët a mund ti thonë vetes, njëri tjetrit apo fëmijëve të tyre qoftë edhe dy fraza të vetme, një nocion të vetëm të Ramës, se si do e luftojë ai korrupsionin. Zero. Asnjënjeri, gazetar, publicist nuk gjen qoftë edhe një zotim të tij të vetëm për të luftuar korrupsionin. Kjo pasi ai ulet në këtë karrige me një pallat dhe një vilë për të cilat s’ka deklaruar asnjë qindarkë, është akuzuar në mënyrë të përsëritur si mister 20%, ka përzgjedhur me dosje korrupsioni pjesën dërrmuese të kabinetit të tij. Ai nuk mund të mohojë dot para shqiptarëve masat që ai do të marrë për të luftuar korrupsionin dhe kjo do të jetë jetike” vlerësoi Kryeministri.

Ndërkohë që në qeverisjen Berisha ekonomia e vendit nuk ra në recesion, dhe sipas kreut të ekzekutivit, këtë Rama nuk e beson, pavarësisht se ai nuk ka asnjë nocion për ekonominë.

Gjithashtu në ekzpozenë e tij, Berisha u ndal dhe në punën e ekzekutivit për të përmirësuar infrastrukturën rrugore, për të çuar përpara reformat në arsim e shëndetësi, por pa lënë jashtë vëmendjes dhe vendimet që sollën zhvillimet e mëdha në sektorin energjitik.

“Nga viti 2007 e deri më sot ne kemi furnizuar pa ndërprerje me energji elektrike vendin, hoqëm dënimin kolektiv. Shqipëria është një vend me potenciale të mëdha ujore, ndaj objektivi ynë ishte ta shndërronim vendin në një lider për energjinë elektrike në rajon. Projekti TAP me një rëndësi strategjike dhe shqiptarët do të kenë kosto më të ulët për energjinë”, deklaroi Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›