E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Berisha me grupin parlamentar: Të përgatisim 100 ditët e transformimit rrënjësor të Shqipërisë

TIRANË, 29 janar /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se PD do të përgatisë çdo akt që do sjellë desorosizimin e shpejtë të shoqërisë shqiptare.

Në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Berisha u shpreh se, “shqiptarët çdo ditë e më shumë janë të bindur se në pushtet me datën 11 maj do të jetë PD”.

Kjo, theksoi ai, “është një përgjegjësi e madhe, por i garantoj me këtë rast se 100 ditët do jenë 100 ditët e transformimit rrënjësor të Shqipërisë”.

“Koha nuk pret, ndaj duhet të përgatiten të gjitha vendimet e 100 ditëve të para gjatë këtyre muajve para fushatës, në mënyrë që ato të firmosen në përputhje me Kushtetutën, si vendime qeverie apo akte normative, për të bërë realitet programin tonë transformues të Shqipërisë”, tha Berisha.

“Në të gjithë përgatitjen tonë, është e domosdoshme një seri aktesh, vendimesh, të cilat sjellin desorosizimin e shpejtë të shoqërisë shqiptare”, tha Berisha, i cili theksoi se, “është fakt i pamohueshëm se në botë, kopshti eksperimental i Xhorxh Sorosit u bë Shqipëria”.

“PD nuk është një parti e ekstremit të majtë, por është një parti që i qëndroi fuqishëm. Ndaj dhe ajo merr përsipër para shqiptarëve me akte dhe ligje të desorosizojë Shqipërinë”, tha Berisha.

“Unë i bëra thirrje Aleksis Soros të mbyllë fondacionin në Shqipëri, sepse i jap fjalën, që javën e parë pas 11 majit do të mbyllet me dekretligj që të mos shkelë më në Shqipëri. Ky fondacion i ka bërë të këqija të mëdha Shqipërisë. Është bërë mbështetës i ekstremit të majtë në Shqipëri dhe i kulturës ‘woke’ të shkatërrimit të familjes dhe identitetit gjinor. Ndaj dhe në detyrimin tonë si forcë politike është përgatitje e të gjitha akteve dhe ligjeve që sjellin desorosifikimin e Shqipërisë”, u shpreh Berisha. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›