Durrës – Moti i keq, ndërprerje të herëpashershme të aktivitetit portual

TIRANË, 29 janar/ATSH/ Në portin e Durrësit aktiviteti portual ka pësuar ndërprerje të herëpashershme si rrjedhojë e kushteve të vështira të motit, ndërkohë që lundrimi i trageteve ka vijuar normalisht.
Autoriteti Portual Durrës bën të ditur se flota e peshkimit aktualisht ndodhet e akostuar deri në përmirësimin e kushteve të motit.
“Nga ana jonë janë marrë masat për sigurimin e mjeteve lundruese që ndodhen në port dhe po koordinohemi me institucionet detare për ecurinë e operacioneve portuale apo efikasitetin e shërbimeve portuale”, theksoi APD.
Përkeqësimi i kushteve të motit ka sjellë sot reshje të dendura shiu në Durrës, që kanë shkaktuar edhe probleme në disa zona të qytetit.
/k.s/r.e/a.f/