Berisha-Chakrabart:Projektet me BERZH-in, të suksesshme

BERZH e konsideron Shqipërinë si një partnere të saj dhe se bashkëpunimi dhe projektet me Shqipërinë kanë qenë dhe janë të suksesshme. Kështu është shprehur presidenti i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Suma Chakrabart gjatë një takimi me kryeministrin Sali Berisha në Slloveni
Gjithashtu Presidenti i BERZH shprehu vlerësimin për performancën e qeverisë dhe të Shqipërisë në tërë këto vite bashkëpunimi, veçanërisht, në vitet e fundit, në kushtet e krizës botërore që po vazhdon. “E njoh Shqipërinë si një përthithëse të projekteve tona të suksesshme dhe shpreh besimin se bashkëpunimi e lidhja e fortë që kemi, do të jetë afatgjatë”, u shpreh Presidenti i BERZH, duke vënë në dukje se kjo Bankë ka përgatitur një strategji të re, me mbështetje të fokusuar në projekte infrastrukture, energjie, privatizime, etj. Po ashtu, në fushën e forcimit të institucioneve është destinuar një fond i konsiderueshëm për të mbështetur këtë proces” tha ai.
Kryeministri Berisha ndërsa ka bërë një panoramë të zhvillimeve në vend, tha se qeveria po vazhdon projektet e infrastrukturës kombëtare, rurale e të gjithëllojshme, si baza e zhvillimit të shpejtë e të qëndrueshëm. Po ashtu, sektori i energjisë po përthith projekte të shumta e të mëdha të prodhimit të energjive të rinovueshme, si HEC-e, impiante ere, etj. Turizmi gjithashtu përbën një prioritet, si fushë me potenciale të mëdha për t`u investuar e zhvilluar. Forcimi i institucioneve ka qenë dhe është një proces i vazhdueshëm.
Kryeministri i prezantoi Presidentit të BERZH punën e bërë në fushën e energjisë së rinovueshme, që nga viti 2007 e në vazhdim, të kurorëzuar me dhënien me koncesion të rreth 330 HEC-eve, nga të cilat 72 tashmë të përfunduara e në prodhim me kapacitet 125 mega dhe 50 të tjera në proces. Potencialet janë akoma më të mëdha, prandaj mbështetja me financime i këtij sektori është shumë e rëndësishme.
Kryeministri Berisha theksoi se kriza mbarë botërore ka shteruar kreditimet dhe i ka bërë bankat mëma evropiane e të tjera ndërkombëtare shume hezituese e të shtrënguara. Ndërkohë, sektori privat në të gjitha fushat ku ka gjeneruar projekte, ka nevojë të vazhdueshme për financime.
Kryeministri nënvizoi se mbështetja dhe fuqizimi i sektorit privat me lehtësira e nxitje investimesh, si dhe me financime, është vitale për të garantuar rritje ekonomike, punësim e zhvillim dhe roli i BERZH në këtë drejtim mund të të jetë më i madh dhe kompensues për të zbutur efektin e mungesës së kredive e për të sjelle know how-n e domosdoshëm për bizneset e reja e të brishta, nëpërmjet partnerizimit. Ai u shpreh se penalizimi i vendeve si Shqipëria, që nuk është pjesë e eurozonës, por vuan efektet e politikave frenuese të bankave të eurozonës, mund e duhet të zbutet nga institucionet financiare si BERZH.
Më tej, Kryeministri Berisha e garantoi Presidentin e Bankës për vazhdimësinë e reformave, mbajtjen e rritjes ekonomike, ekuilibrin makroekonomik dhe kujdesin për borxhin publik e deficitin buxhetor në normat dhe objektivat e përcaktuar. Ndërkohë, punësimi, konkurueshmëria e ekonomisë, rritja e pagave dhe standardeve të jetesës, janë pjesë e pandarë e politikave të qeverisë shqiptare.
Nga ana e tij, Presidenti i BERZH-it siguroi kryeministrin Berisha se kjo Bankë do te vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë me Shqipërinë, por edhe në nivel rajonal, duke inkurajuar sektorin privat me mbështetje financiare dhe partneritet.
Në kuadrin e festimit të 100 vjetorit të pavarësisë së vendit, në aktivitetet e gjithanshme që po zhvillohen, Kryeministri Berisha e ftoi Presidentin të bënte vizitën e tij të parë në Shqipërinë e ndryshimeve demokratike dhe ekonomike të mëdha e të shpejta. Presidenti i BERZH i premtoi Kryeministrit Berisha se do ta vizitonte Shqipërinë në një kohë të ardhshme.