E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha merr mbështetjen e Azerbajxhanit për projektin trans-Adriatik të gazsjellësit që kalon në Shqipëri

Kryeministri Sali Berisha zhvilloi pasditen e djeshme në Davos të Zvicrës një takim me Presidentin e Azerbajxhanit, zotin Ilham Aliyev. Gjatë takimit, Kryeministri Berisha dhe Presidenti Aliyev biseduan gjerësisht mbi Projektin trans-Adriatik për gazin, bisedë kjo që ishte një vazhdim i bisedimeve të zhvilluara në Stamboll midis tyre. Presidenti Aliyev e siguroi Kryeministrin Berisha mbi vendosmërinë e tij për të garantuar furnizimin me gaz të këtij projekti që kalon nga Shqipëria, çështje kjo që Kryeministri Berisha e diskutoi edhe me autoritetet zvicerane si dhe me Kompaninë EGL, me të cilën zhvilloi dje një takim në Davos. Kryeministri Berisha e njohu Presidentin Aliyev me ecurinë e reformave në Shqipëri si dhe me revolucionin fiskal që po e bën Shqipërinë gjithnjë e më shumë tërheqëse për investitorët e huaj. Presidenti Aliyev dhe Kryeministri Berisha gjatë bisedës së tyre konfirmuan vullnetin e mirë dypalësh për një bashkëpunim shumë të frytshëm ekonomik dhe kulturor mes dy vendeve. Presidenti Presidenti Aliyev e ftoi Kryeministrin Berisha për të vizituar Azerbajxhanin, gjithashtu edhe Kryeministri e ftoi Presidentin Aliyev të vizitojë Shqipërinë, ftesa këto që u pranuan me kënaqësi nga të dy palët.
Po dje kryeministri Berisha zhvilloi një takim me zëvendëskryeministren dhe Ministren e Jashtme të Izraelit, zonjën Tzipi Livni. Të dy personalitet vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë mes dy vendeve dhe ndanë të njëjtin mendim për zgjerimin e bashkëpunimit në të ardhmen, veçanërisht në sektorin ekonomik. Në këtë kontekst, Kryeministri Berisha e njohu zonjën Livni me masat e ndërmarra nga qeveria shqiptare, në ndihmë të investitorëve të huaj, si dhe shprehu angazhimin e qeverisë shqiptare për të mbështetur investimet izraelite në vendin tonë. Ai bëri një ekspoze të progresit të reformave në shumë fusha, duke u ndalur në mënyrë të veçantë në ndryshimet pozitive që kanë ndodhur në ekonominë shqiptare. Nga ana e saj, Zëvendëskryeministrja izraelite u shpreh se do të mbështesë bashkëpunimin ekonomik me Shqipërinë, si dhe u angazhua në shqyrtimin e mjaft projekteve të reja dhe zbatimin e tyre në Shqipëri në fusha të ndryshme. Në mënyrë të veçantë, zonja Livni u ndal në mundësitë për një perspektivë të mirë bashkëpunimi në bujqësi, arsim, energjetikë, turizëm etj.
Suedia mbështetje Shqipërisë për marrjen e ftesës për në NATO/Kryeministri Berisha, gjatë Forumit Botëror Ekonomik në Davos, ka zhvilluar një takim me Ministrin e Jashtëm të Suedisë, Carl Bildt. Kryeministri Berisha e falënderoi z. Bildt për mbështetjen që Suedia ka dhënë dhe i jep aspiratës integruese të Shqipërisë në BE dhe në NATO, si dhe në mbështetjen e zhvillimeve ekonomike në vend nëpërmjet mjaft projekteve të rëndësishme. Kryeministri Berisha vuri theksin në faktin se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO është projekti më madhor për Shqipërinë dhe shqiptarët, ndaj qeveria shqiptare do të vazhdojë të jetë konsekuente në hapat e saj për realizimin e reformave në të gjitha fushat. Ministri Bildt e përgëzoi Kryeministrin Berisha për arritjet e Shqipërisë në zbatimin e reformave dhe për hapat e sigurta të ndërmarra nga qeveria shqiptare për të marrë ftesën për anëtarësim në samitin e Bukureshtit. Kryeministri Berisha u ndal në progresin ekonomik të Shqipërisë dhe në punën e qeverisë për të krijuar një klimë të përshtatshme për biznesin dhe investimet e huaja dhe vendase. Ministri i Jashtëm, Bildt, i shprehu Kryeministrit Berisha gatishmërinë e tij për të krijuar mundësitë e investimeve nga shoqëri të mëdha suedeze. Gjithashtu, ministri Bildt e përgëzoi Kryeministrin Berisha për arritjet e mëdha që ka bërë Shqipëria në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe u shpreh se Shqipëria duhet të vazhdojë më tej në rrugën e zbatimit me sukses të reformave. Kryeministri e ftoi ministrin e Jashtëm suedez për një vizitë në Shqipëri, ftesë që u pranua me kënaqësi dhe për të cilën zoti Bildt u shpreh se së shpejti do të vizitonte vendin tonë. Kryeministri Berisha dhe ministri Bildt u ndalën gjerësisht edhe në çështjen e statusit të Kosovës dhe zhvillimet në rajon. Kryeministri u shpreh se Shqipëria do të mbështesë shtetin e ri që do të krijohet në Kosovë dhe do të kontribuojë në progresin e tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›