Presioni i BE-së detyron Shkupin të tërhiqet nga masat e ashpra kufitare me Shqipërinë
Bashkimi Europian ka detyruar qeverinë maqedonase që të zbusë qëndrimin e saj radikal në lidhje me rregjimin e vizave me vendin tonë. Pas një takimi që ka zhvilluar me komisionerin e BE-së për Zgjerimin, Oli Rehn, kryeministri i Maqedonisë, Nikola Gruevski, tha se qeveria që ai drejton do të përpiqet të gjejë një zgjidhje për çështjen e regjimit të vizave me Shqipërinë, zgjidhje që nuk do të shkelë direktivat e Bashkimit Europian, por njëkohesisht do të lehtësojë lëvizjen e lirë për shtetasit e dy vendeve. I pyetur nëse ishte i gabuar vendimi për të vendosur një regjim vizash me Shqipërinë, në një kohe kur Maqedonia dhe vendet e rajonit kërkojnë që liberalizimi i tyre me Bashkimin Europian, shefi i kabinetit të Maqedonisë, tha se ligji për regjimin e vizave u miratua në maj të vitit 2006 nga qeveria e mëparshme, por hyn tani në fuqi. Miratimi i ligjit në parlament ish si pasojë e direktivave dhe kërkesës së BE-së që të mos jetë më Ministria e Brendshme, ajo që lëshon viza në kufi, por Ministria e Punëve të Jashtme
që lëshon viza në konsullatë dhe ambasadë. Paralelisht me deklaratën e kryeministrit Gruevski, Shkupi ka ngitur tashmë një grup pune, për të diskutuar mbi këtë çështje delikate që parashikon lirimin nga vizat për fëmijët, pensionistët dhe qytetarët shqiptare që posedojnë viza shengen. Këto lehtësime nënvizohen në marrëveshjen që Ministria e Jashtme po punon këto ditë me një grup ekspertësh dhe punonjësish të ministrisë. Mësohet se projektmarrëveshja do ti dorëzohet Ministrisë së Jashtem Shqiptare deri në fund të këtij muaji. Këshilltari Shtetëror për Punën Konsullore në Ministrinë e Jashtme, Savo Sibinovski, deklaroi se kjo marrëveshje është një hap përpara liberalizimit të plotë të rregjimit
të vizave mes dy vendeve dhe heqjen e plotë të tyre. Sipas tij marrëveshja për rregjimin e ri të vizave, parashikon që popullata e rajoneve kufitare
në një distancë deri në 50 kilometra të hyjnë në Maqedoni me lejëkalimi të posaçme, të cilat do të mundësojnë kalime të pakufizuara. Sibinovski shtoi se se planifikohet hapja e një përfaqësie diplomatike të Maqedonisë në një vend në afërsi të kufirit. Ai tha se qytetarët shqiptarë me origjinë maqedonase nuk do të lirohen nga ky rregjim vizash.