E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha merr pjesë në Lojërat Olimpike Londër 2012

Në pritje ishte e pranishme edhe Presidentja e Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, ministrat e Kulturës dhe Sporteve Aldo Bumci dhe ai i Kosovës Memli Krasniqi, si dhe përfaqësues të komunitetit shqiptar në Londër dhe miq britanikë me kontribut në zhvillimet e të Shqipërisë.
 
Kryeministri Berisha u uroi sportistëve suksese në garimin e tyre, duke shprehur njëherësh besimin se në këtë garë, ata do të arrijnë të zënë vendet që meritojnë. “Suksesi i juaj i parë – u shpreh Kryeministri - është që jeni këtu si përfaqësues të kombit shqiptar. Ndaj jam i bindur se në këtë garë, më e bukura që organizon njerëzimi, ju do të nderoni veten dhe kombin tuaj.”
 
Një përshëndetje të veçantë, Kryeministri Berisha i drejtoi sportistet Majlinda Kelmendi, e cila garon në disiplinën e xhudos, për prezencën e saj në ekipin olimpik. “Ju vini këtu si ekipi i një kombi të bashkuar dhe kjo e ka simbolikën e madhe. Majlinda, ti je faktori më kryesor i këtij ekipi të përbashkët dhe të gjithë jemi tifozët e tu dhe kemi shumë besim se ky akt i yti do të kurorëzohet me suksesin që ti meriton dhe të gjithë sportistët tanë meritojnë,” - u shpreh Kryeministri.
 
Kryeministri Berisha falënderoi edhe miqtë britanikë jo vetëm për prezencën në pritje, por edhe për mbështetjen që i kanë dhënë dhe i japin Shqipërisë dhe  angazhimin e kahershëm të tyre në zhvillimet në vend.
 
Presidentja Jahjaga uroi gjithashtu sportistët olimpike për suksese në këto Lojëra. Të gjithë, tha Presidentja Jahjaga, kemi sot, ndjenjën e sportit dhe shpirtin e sportistit, duke theksuar se edhe prezenca në Londër ishte një përkrahje e fuqishme për ekipin tonë.  
 
Kreu i delegacionit shqiptar në Lojërat Olimpike Viron Bezhani, në emër të të gjithë ekipit, tha se ëndrra e sportistëve është ngritja lart e flamurit shqiptar dhe se ata do përpiqen shumë ta arrijnë. /Start

                                                                                             2012-07-27 14:44
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›