E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha mohon krizën në vend, eksportet 2 herë më pak se vitin e kaluar

Kriza shkatërron fasonistët, agroushqimorët e agrotregtarët
Eksportet kanë pësuar një rënie drastike me 2,1 herë, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ky është konkluzioni nga të dhënat zyrtare të 3-mujorit 2009 nga porti i Durrësit, që përballon rreth 80 për qind të vëllimit të shkëmbimeve tregtare të Shqipërisë. Këto janë shenjat e dukshme krizës globale që ka mbërritur në vendin tonë, i cili sipas Berishës, Topallit, Bodes etj., është vendi me rritjen ekonomike më të lartë në rajon dhe kontinent. Në tërësi, këtë 3-mujor janë përpunuar 732.370 tonë mallra të ndryshme nga 907.822 tonë gjatë vitin e kaluar, me një diferencë prej 175.452 tonë mallra (9 për qind) më pak se 3-mujorin e parë të vitit 2008. Eksporti është realizuar 47 për qind (123.487 tonë minus), importi 92 për qind që do të thotë rreth 52 mijë tonë më pak se e njëjta periudhë e vjetshme. Një sërë mallrash ushqimore por edhe produkte të ndryshme nuk janë importuar që nga fillimi i vitit duke ndikuar në këtë mënyrë në rritjen e dukshme të çmimeve. Në tre muaj të këtij viti nuk është përpunuar asnjë kg sheqer e oriz, ndërkohë që vitin e kaluar për tremujorin e parë janë përpunuar plot 52 mijë ton oriz e sheqer. Këtë vit, si 3-mujor, janë importuar 28.8 mijë ton karburant dhe 51.9 mijë ton hekur më shumë sesa e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Ndërkohë, bie në sy rënia e sasisë së mallrave të eksportuar. Fasonistët si dhe agroushqimoret e agrotregtarët kanë eksportuar më pak mall për vendet e perëndimit duke nxjerrë bilance negative. Gjithashtu kanë mbi një vit që prodhuesit me material porositësi, apo siç quhen ndryshe, fasonistët, u bien sirenave të alarmit të kuq për rrezikun e grushtit të krizës globale mbi industrinë e veshjeve dhe këpucëve me regjim të përkohshëm përpunimi. Kështu ka ndodhur, madje, përtej çdo përfytyrimi të moderuar. Sipas statistikave të tremujorit të parë të këtij viti, fasonistët dhe disa prodhues agroushqimorë kanë eksportuar me tragete vetëm 51.301 tonë prodhime nga 163.343 tonë në periudhën janar-mars 2008, me një diferencë prej 112.043 tonë ose 3,1 herë më pak! Shifrat janë mbresëlënëse. Po në këtë raport në herë është dhe eksporti në mars. Rënia e konsumit në shtetet porositëse të veshjeve dhe këpucëve jep efektin domino në industrinë shqiptare, si dhe në transport, punësim etj. Në shkallë vendi në fason punojnë 140 mijë veta, kryesisht vajza dhe gra. As Dhoma Kombëtare e Veshjeve as Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta nuk kanë raportuar shkurtime të vendeve të punës. Në fakt, reduktim orari dhe fuqie punëtore ka ndodhur. Por kjo goditje në fason ka dhënë pasoja dhe në transportin auto dhe atë detar. Kështu, për periudhën 3-mujore janë përpunuar 1439 kamionë më pak dhe pse tragetet kanë bërë 56 rejse (rrugë vajtje-ardhje) më shumë se e njëjta periudhë e vjetshme. Kjo do të thotë se ngarkesa mesatare e çdo trageti ka qenë më e ulët, që nënkupton më shumë shpenzime joefektive. Këto shifra kanë ulur të ardhurat e kompanive të lundrimit dhe të drejtorisë së përgjithshme ekzekutive të Autoritetit Portual Durrës (APD). Ka një diferencë të lehtë negative dhe në transportin e udhëtarëve me tragete mes dy periudhave të krahasuara, në nivelin e 4 për qind (4.961 veta) më pak këtë vit dhe pse janë bërë 16 për qind më shumë rejse nga tragetet. Bie në sy se kanë hyrë 8 për qind (3.436 udhëtarë) më pak dhe kanë dalë 2 për qind (1.526 udhëtarë më pak). Veçse duhet përmendur fakti se muaji më i shkretë i periudhës për këtë vit është muaji i parë i pranverës, marsi, që ka ndikuar në rezultatin negativ të 3-mujorit me... 25 për qind (9.269 veta) më pak udhëtarë. Dukuria është e pashpjegueshme, por kjo mungesë njerëzish është reflektuar në faktin se kanë qarkulluar në tragete në hyrje-dalje 1.401 copë vetura (17 për qind) më pak, dhe pse janë bërë 15 për qind (18 rrugë) më tepër se vjet. Krizë më të rëndë se kjo nuk ka sit ë ndodhë po me siguri Bode dhe Berisha mendojnë se pavarësisht shifrave Shqipëria po ndryshon, vetëm se në kahun negativ.

Last Updated on Friday, 17 April 2009 03:27

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›