E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fullani: Mungesa e likuiditeve, Shqipërisë i duhet ndihma e FMN

Kriza ekonomike nga dita në ditë po mbërthen rrezikshëm ekonominë shqiptare. Është fakt i pamohueshëm se Shqipëria tashmë është nën ndikimin e pasojave që sjell në Shqip[ëri kriza që ka mbërthyer ekonominë botërore. Rënia e remitancave, rënia e eksporteve, rritja e deficitit tregtar dhe mungesa e likuiditeteve janë tashmë një realitet në ekonominë shqiptare. Banka e Shqipërisë tashmë pas euforisë momentale po pranon në krizën ekonomike si një realitet. Guvernatori Fullani i cili deri më tash ka qenë pjesë e euforisë së qeverisjes Berisha, duke u bërë palë në të gjitha transaksionet e kësaj qeverie, ka filluar të reagojë kundër pretendimeve qeveritare për rritje ekonomike dyshifrore. Nga momenti që FMN deklaroi krizën ekonomike që po përjeton Shqipëria, ku rritja ekonomike për vitin 2009 duket se do jetë në nivelin 0-1%, guvernatori Fullani i cili dallohet për piruetat e tij deklaroi se Shqipëria rrezikohet nga kriza.; edhe ditën e djeshme gjatë fjalë së tij në parlament, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani gjatë prezantimit të raportit për vitin 2008 theksoi se gjatë këtij viti, problemi kryesor i ekonomisë është mungesa e likuiditeteve. Guvernatori kërkon që të sigurohen financime nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. Sipas Fullanit, situata e krijuar në tregjet ndërkombëtare ka ndikuar në mënyrë të natyrshme në uljen e mundësisë dhe gatishmërisë së sistemit bankar shqiptar për të kredituar ekonominë shqiptare.  Fullani, duke bërë një parashikim të pritshmërive ekonomike në vend gjatë vitit në vazhdim, theksoi se "këto zhvillime të ekonomisë globale sugjerojnë se ekonomia shqiptare duhet të përballet me një reduktim të nivelit të remitancave dhe të hyrjeve në përgjithësi të kapitalit gjatë vitit 2009".   Në këtë drejtim, Fullani tha se këto zhvillime përbëjnë një reduktim të mëtejshëm të mundësive të financimit të aktivitetit ekonomik të vendit, si dhe dëmton balancat e kërkesës dhe ofertës për valutë. "Në optikën e BSH-së, problemi kryesor me të cilin do të përballet ekonomia shqiptare në vitin në vijim është mungesa e likuiditetit dhe e lidhur me të, shtrëngimi i kushteve të financimit të aktivitetit ekonomik", theksoi ai. Sipas tij, ky kufizim duhet të njihet dhe të faktorizohet në planet e biznesit dhe të gjithë agjentëve ekonomikë në vend. "Ekonomia shqiptare do të përfitojë më pak kredi gjatë vitit 2009", vijoi Fullani, duke theksuar se "kjo mungesë likuiditeti kufizon dhe hapësirat që ka politika fiskale dhe monetare për reagim të mëtejshëm". Ai u shpreh se në këto rrethana kërkohet një efiçencë më e madhe e përdorimit të fondeve në sistemin bankar, nëpërmjet renditjes prioritare të shpenzimeve në funksion të impaktit që kanë mbi rritjen ekonomike të vendit. "Për më tepër BSH gjykon se sjellja e defiçitit të llogarisë korente duhet të monitorohet në mënyrë të  vazhdueshme. Barazimi i këtij defiçiti me hyrjet e reduktuara në llogarinë kapitale duhet të jetë një prioritet tjetër i zhvillimit të politikave ekonomike", tha ai. Guvernatori Fullani theksoi se "ky moment kushtëzon ndjeshëm ekuilibrat makroekonomike dhe financiare të vendit" dhe për këtë arsye ai shprehu edhe angazhimin për mbajtjen nën mbikëqyrje nga ana e BSH-së. Sipas tij, kriza nuk është origjinuar nga ekonomia shqiptare, po pa diskutim do të afektohet dhe ndikohet ndjeshëm nga zhvillimet e mëtejshme të ekonomisë botërore. Kreu i BSH-së u shpreh se stabiliteti makroekonomik ka amortizuar ndikimin e krizës ekonomike financiare e globale në aktivitetin ekonomik të vendit. "Ky stabilitet i shprehur në inflacion të ulët të çmimeve të konsumit, qëndrueshmërinë e bilancit të pagesave dhe të borxhit publik, balance të shëndosha të agjentëve ekonomik, luhatje të ulëta të tregut financiar dhe besim të publikut në një zonë financiare, është një kapital i madh i ekonomisë shqiptare", vijoi Guvernatori.  Ai shtoi se dinamizmi i sektorit privat kërkon kushte afatgjata të favorshme ekonomike dhe financiare, si dhe struktura transparente tregjesh konkurruese, për të çliruar në mënyrë të plotë potencialin e tij të zhvillimit. "Vetëm vendet të cilat kanë ditur të ngrihen e t'i përgjigjen këtyre goditjeve kanë mundur të rriten e të prosperojnë për periudha zhvillimesh afatgjata", deklaroi ai.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›