E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha mund të bëjë çfarë të dëshirojë

Me rrugën pa kthim të moshapjes së kutive dhe materialeve të votimit të 28 qershorit 2009, politikani dhe kryeministri Sali Berisha tregoi se mund të realizojë shumë gjëra në Shqipëri: të ligjshme dhe të paligjshme. Këtë dhuratë ia kemi bërë ne të gjithë, sidomos politika dhe media, dy luftëtaret dhe misionaret e nxjerrjes së të vërtetës në publik. Duke filluar nga media, e cila ka humbur e shitur shpirtin, ca nga kriza e ca nga ëndrra që në lindje për t’u pasuruar me atë që s’është pasuruar njeri: gazetarinë. Janë shtuar aq shumë “barkaliqët” në gazetari, saqë dhjami i akumuluar nga mirëqenia ka atrofizuar atë pjesë të trurit që kërkon e synon të nxjerrë në dritë të vërtetën. Viti 2010 kaloi me një fitore të bukur, atë të pezullimit të Marrëveshjes së kufijve detarë me Greqinë, fitore e arritur falë medias, gjykatësve të Kushtetueses, opozitës, por, ka shumë të ngjarë që e gjitha kjo të mbetet vetëm një kujtim i mirë me të cilin mund të shtyjnë edhe disa muaj të tjerë bisedat klubeve duke rrahur gjoksin të gjithë aktorët e kësaj fitoreje. Të tjera fitore s’ka e vështirë të ketë.
Politika pret sfidën e zgjedhjeve lokale, që pas atyre të përgjithshme, nuk parathonë ndonjë gjë të mirë. Kryebashkiaku aktual dhe njëkohësisht kreu i Partisë Socialiste Edi Rama, nëse rikandidohet do të shkaktojë bulimi në elektoratin kryeqytetas që natyrshëm pas kaq vitesh pret një ndryshim; por, dhe nëse mendon të dalë në betejë me një Erjon Velija apo Ben Blushi ta zëmë, s’bën gjë tjetër veç hedh në betejë dy komandantë që vijnë vetëm me humbje deri tani në politikë. Çdo gjë mban erë aq të vjetër në politikën vetëm 20-vjeçare shqiptare, saqë dhe e reja për shembull, pjesëmarrja e gruas sidomos në opozitë, ngre pikëpyetje dhe dyshime për një mbarëvajtje të zgjedhjeve lokale. Fjalët e fundit të Gramoz Ruçit në Kuvendin e Shqipërisë në perëndim të 2010-ës, sidomos për ca tolerime që opozita i paskësh bërë Berishës ta zëmë në çështje si Gërdeci, nuk kanë për t’u harruar kollaj. Ç’tolerime është e autorizuar të bëjë një opozitë? Në emër të kujt dhe pse?
Atëherë shqiptarët kanë nisur ta ndjejnë mirë veten me Berishën, pse të harxhojnë energji e të sjellin të tjerë në krye. Dhe Berisha e ka kuptuar se është në një rrugë të paminuar pushteti, ndaj ka nisur të ofrojë çdo gjë vetë: Lavdërimet e kritikat, akuzat e sharjet, pajtimet e ndërtimet, madje dhe kronikën rozë të tijën (aq sa mund të jetë me ndonjë dalje në publik me Çiljetën), po sidomos kronikën rozë të deputetëve. E ç’dëshiron më shumë një popull telenovelash si ky i yni? Se mos vetëm i yni. Në të vërtetë, kryeministri aktual po bën një miks të përsosur të eksperiencës së para viteve ’90, me këtë të tranzicionit, përfshi dhe shembujt e vendeve në krizë në Perëndim. Ka vërtetë terren të lirë.
(BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›