Berisha nderohet me Çelësin e Qytetit të Mesquite në Teksas: Kontribut për forcimin e marrëdhënieve Shqipëri-SHBA

TIRANË, 10 shtator /ATSH/ Zyra e shtypit e Partisë Demokratike njoftoi sot se kryetari i PD-së, Sali Berisha, është nderuar me Çelësin e Qytetit të Mesquite, Teksas. Çelësi iu dorëzua Berishës nga Kryebashkiaku i Mesquite, Daniel Aleman Jr.
Sipas njoftimit të PD-së, gjatë ceremonisë, Aleman e cilësoi Çelësin e Qytetit si nderimin më të lartë qytetar që bashkia mund t’i japë një personi. Sipas tij, njoftoi PD, ky vlerësim përfaqëson respektin, besimin dhe marrëdhëniet e veçanta mes komunitetit të Mesquite dhe shqiptarëve.
“Nderimi për Berishën vjen si vlerësim për kontributin e tij në drejtimin politik të Shqipërisë dhe angazhimin për forcimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, njoftoi zyra e shtypit në PD.
Mesquite, është një qytet në periferi të Dallasit, me 150 mijë banorë sipas censusit të vitit 2020.
/m.q/a.f/