Ministri Hoxha vlerëson ATSH-në: Agjencitë e lajmeve, baza e informimit

TIRANË, 10 shtator/ATSH/ Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha mori pjesë në konferencën “Ballkani takohet në Trieste”, organizuar nga agjencia italiane e lajmeve, ANSA në kuadër të Asamblesë së 34-t të Përgjithshme të Aleancës së Agjencive të lajmeve në Ballkan dhe në Europën Juglindore (ABNA-SE) në bashkëpunim me Rajonin Friuli Venezia Giulia dhe Nismën e Evropës Qendrore (CEI).
Komunikimi strategjik lidhur me zgjerimin e Bashkimit Evropian dhe lufta kundër dezinformimit, ishin dy temat themelore të kësaj Konference me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të lartë të CEI-së, OSBE-së, drejtuesve të agjencive të lajmeve nga 12 vende, anëtare të ABNA-SE, mes të cilëve edhe drejtoresha e përgjithshme e ATSH-së, Valbona Zhupa, përfaqësues nga organizata ndërkombëtare të medieve, zyrtarë të lartë të pushtetit vendor në Trieste etj.
Në një prononcim për Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH) nga Trieste, ministri Hoxha u ndal te sfidat me të cilat përballet rajoni, Evropa dhe bota, duke theksuar veçanërisht paparashikueshmërinë e kohëve të sotme.
“Të gjithë e kemi parasysh kohën që jetojmë, sfidat e mëdha jo vetëm gjeopolitike, por mbi të gjitha atë që është një nga karakteristikat për të cilat pajtohen të gjithë: paparashikueshmëria e kohëve në të cilat jetojmë, në planin rajonal, në planin evropian, natyrisht edhe në planin global”, u shpreh ai.
Hoxha shton se kjo situatë e bën edhe më të rëndësishme ndërtimin e një raporti sa më të ngushtë me Bashkimin Evropian, anëtarësimi në të cilin mbetet një objektiv i përcaktuar nga shqiptarët që në fillimet e demokracisë.
“Kjo na bën edhe më të përgjegjshëm për të ndërtuar një raport sa më të ngushtë me ata të cilëve ne duam t’u bashkohemi, që është objektivi i një kombi, që është objektivi që e kanë përcaktuar shqiptarët që në ditët e para të agimit demokratik, për t’u bërë anëtarë të Bashkimit Evropian”, tha ministri.
Hoxha theksoi se pjesëmarrja në konferenca ku diskutohet për Ballkanin, Shqipërinë dhe procesin e zgjerimit evropian është e rëndësishme për të përcjellë qëndrimin dhe vizionin e vendit.
“Kudo flitet për rajonin tonë, ku flitet për Ballkanin, ku flitet për Shqipërinë dhe ku flitet për zgjerimin, ne duhet të jemi të pranishëm, të themi fjalën tonë, të themi qasjen tonë dhe, mbi të gjitha, të bëjmë atë që është jashtëzakonisht e rëndësishme sot, edhe në aspektin që ka të bëjë me komunikimin”, u shpreh ai.
Ministri e vlerësoi konferencën si një forum të rëndësishëm për të përcjellë narrativën, argumentet dhe vizionin e Shqipërisë, si dhe për të përditësuar imazhin e vendit në arenën ndërkombëtare.
Në këtë kuadër, kryediplomati shqiptar u ndal edhe te sfidat që lidhen me informimin e drejtë, raportin me faktin dhe të vërtetën, duke sjellë në vëmendje fenomenin e “Foreign Information Manipulation and Interference” (FIMI), apo manipulimin dhe ndërhyrjen e informacionit nga jashtë.
“Ka lidhje me një nga sfidat më të mëdha që ka të bëjë me informimin e drejtë, me raportin me faktin, me raportin me të vërtetën”, tha Hoxha, duke kujtuar edhe konferencën e zhvilluar nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme në fund të korrikut për këtë fenomen.
Sipas tij, në kushtet e sotme është e rëndësishme që shoqëria të rikthehet te pyetjet themelore mbi burimin dhe përpunimin e informacionit.
“Është jashtëzakonisht e rëndësishme t’i kthehemi sa më shumë të jetë e mundur, asaj që është thelbësore: nga e marrim informacionin, si e përpunojmë informacionin, nga informohemi për të vërtetën dhe si ta ndajmë të vërtetën nga pavërtetësitë”, deklaron ministri.
Në këtë drejtim, Hoxha vlerësoi rolin e agjencive të lajmeve, duke i cilësuar ato si baza dhe themeli i informimit, për shkak të rolit të tyre në përcjelljen e informacionit të verifikuar.
“Agjencitë e lajmeve janë baza, themeli i informimit”, tha Hoxha, ndërsa vlerësoi punën e Agjencisë Telegrafike Shqiptare.
“Këtu duhet të theksoj punën jashtëzakonisht të rëndësishme të atyre që janë baza, themeli i informimit, atyre që, pavarësisht ndryshimit të kohëve, nuk e kanë ndryshuar as qasjen, as mënyrën dhe as punën e tyre, as kolonat mbi të cilat mbështetet puna e tyre: agjencitë e lajmeve. Dhe jam shumë i lumtur që jam me ATSH-në në këtë moment të veçantë, edhe për t’i falënderuar për punën që bëjnë, edhe për t’i inkurajuar që të mos ndryshojnë në qasjen e tyre, pavarësisht vështirësive, pavarësisht sfidave, pavarësisht tendencave”, u shpreh ministri.
Në përfundim, Hoxha theksoi se e vërteta dhe informimi i saktë janë themelorë për përparimin e shoqërisë dhe për marrjen e vendimeve të duhura.
“Nëse nuk e ndërtojmë të sotmen dhe të ardhmen mbi të vërtetën, ne nuk do të fitojmë as luftën tonë dhe nuk mund të avancojmë. Sepse nuk do të na ndjekë shoqëria pa qenë e mirinformuar, pa qenë me elementet e duhura dhe të saktë për të marrë vendimet e duhura”, përfundoi Hoxha.
/gj.m/r.e/ /a.g/