Berisha në 20-vjetorin e degës së PD, Durrës: Garantojmë zgjedhje lokale të ndershme
Dega e Partisë Demokratike në Durrës festoi sot 20-vjetorin e krijimit të saj, në një aktivitet ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Sali Berisha, njëherësh kryetar i kësaj force politike. Aktiviteti u mbajt në pallatin e sporteve “Ramazan Njala”. Berisha solli në kujtesë zhvillimit kryesore politike të këtyre 20 viteve, ndërsa pohoi se edhe pse vendi ndodhej nën protektoratin e pushtetit komunist, arriti të shpëtojë, duke qenë i lirë.
“Shqipëria është një vend ku respektohen të drejtat e njeriut, falë pluralizmit politik që është thelbi i demokracisë. Partia Demokratike 20 vjet më parë rrëzoi regjimin komunist, ndërkohë që sot realizoi anëtarësimin e Shqipërisë në NATO”, tha Berisha.
Ai përmendi në fjalën e tij lëvizjen e lirë dhe ndërtimin e një epoke te re, duke deklaruar se sot, Shqipëria është 20 vite dritë larg gjendjes në të cilën ndodhej 20 vjet më parë.
Berisha e cilësoi Durrësin si një nga epiqendrat e zhvillimit të vendit duke shtuar se vendi ka shënuar rritjen e të ardhurave për frymë me 35 herë më shumë si një zhvillim i madh ekonomik.
Berisha tha se Shqipëria zhvilloi dhe do të zhvillojë zgjedhje të lira dhe të ndershme, duke nënvizuar se zgjedhjet vendore do të karakterizohen nga numërimi korrekt i votave.