Berisha në 8 mars: Jemi shqiptarë falë moralit të nënave tona. Përulem para gruas time
Kryeministri në fillim të fjalës së tij tha se i përulet bashkëshortes së tij, Lirisë. Gratë e presin Berishën me këngën Kam nevojë për një hero. Kryeministri ripërsërit tezën e tij se gratë shqiptarë ruajtën kombin tonë me moralin e tyre
Në Ditën e Gruas, me qindra gra janë mbledhur në Pallatin e Kongreseve dhe nën ritmet e këngës I need a hero, kanë zbuluar se heroi i tyre ishte … Sali Berisha. Para pak ditësh Shqipëria u rendit si një nga vendet ku femrat kanë më pak liri e përfaqësim. Ndërkohë që çdo ditë gazetat janë të mbushura me lajme për vrasje e dhunim të femrave nga bashkëshortët e tyre. Po ashtu, para pak kohësh Këshilli i Europës i bëri thirrje Shqipërisë të ndalojë praktikën e lindjeve selektive. Madje u shkua më larg, u propozua një ligj që shqiptarët të mos shohin çfarë gjinie ka fëmija e tyre për shkak se nëse janë femra, ato abortohen. E pavarësisht këtyre sukseseve të mëdha, Berisha u shfaq përpara grave të Shqipërisë duke ripërsëritur një tezë të hershme të tij se kombi shqiptar ka mbijetuar për shkak se gratë tona kanë qenë të ndershme dhe nuk i janë dhënë pushtuesit.
Berisha e nisi fjalën e ti duke iu përulur së pari të shoqes, Liri Berishës. Privilegj i veçantë të përulem me nderim të madh së pari para bashkëshortes time, tha Berisha.
Nëna është burimi i jetës për çdo komb, për ne shqiptarët një komb ndër më të lashtit në planet nëna është arkitekte e identitetit tonë kombëtar. Çfarëdo që pësuam në dheun tonë, mynxyra e pushtime shekullore, lindëm shqiptarë dhe vdiqëm shqiptarë falë moralit të nënave shqiptare. Ndaj dhe sot në këtë 100 vjetor nderimi më i madh u përket grave dhe nenave shqiptare, tha Berisha.
Kryeministri tha se gratë kanë qenë vendimtare për ndryshimet e mëdha në Shqipëri. Mirënjohje të veçantë për të gjitha ato qindra e mijëra gra shqiptare që në vitet 90 me guximin e tyre, me virtytet e tyre, ishin të parat që u vërsulen për të përmbysur diktaturën më shpërfytyruese që Europa kishte njohur në tërë historinë e saj, tha Berisha.
Kryeministri vijoi duke thënë se gratë janë histori suksesi kudo që janë. Sot kudo jeni histori të vërteta suksesi, në Parlament, qeveri e administratë. Roli juaj në reformat e transformimit të vendit ka qenë dhe mbetet përcaktues, roli juaj në drejtim të biznesit vjen gjithnjë duke u rritur. Zërat tuaj kanë magjinë artistike ndaj dhe ju kryesoni në këngë, në art e kudo. Sot gratë dhe vajzat shqiptare janë frymëzuese në shkencë, në biznes, në botën akademike dhe në çdo fushë tjetër, u shpreh Berisha.
Kryeministri tha se nuk do citonte statistika për arritjet e grave, por u bëri thirrje atyre të rrëzojnë murin e patriarkisë.
Në radhë të parë ju duhet të vendosni të angazhoheni në një betejë të madhe, në një betejë historike për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave tuaja. Është ky mur që gjeneron dhunë, diskriminim ndaj jush, që mban shoqërinë tonë të pabarabartë, tha Berisha.