Berisha në Astir: Rezoluta e PPE për zgjedhjet, mbështetje e madhe. Rama: Fletërrufeja, alibi për humbjen madhështore të 11 majit

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një takim me banorët në zonën e Astirit në Tiranë, komentoi miratimin e rezolutës për zgjedhjet nga PPE. Berisha e konsideroi atë si “mbështetjen më të madhe që i është dhënë PD-së dhe opozitës”.
“Në Valencia 2 mijë delegatë që përfaqësonin 86 parti të qendrës së djathtë nga të cilat janë 14 kryeministra në Europë, votuan njëzëri rezolutën në mbrojtje të votës tuaj. Votuan rezolutën në të cilën dënohej me ashpërsinë më të madhe Edi Rama. Votuan rezolutën në të cilën i jepet mbështetja më e fuqishme opozitës shqiptare dhe PD-së. Ju jepet ju mbështetja më e madhe që keni pasur ndonjëherë që nga themelimi i kësaj partie. Miq, qëndresa juaj, angazhimi juaj, përmbysja që po i bëni narkodikaturës, po jehon në Europë dhe në botë. Një përshëndetje kam unë për drejtuesin politik të kësaj zone, përfaqësuesit tuaj të ardhshëm në parlamentin shqiptar, pra zotin Klevis Balliu, zotërinjtë Grigels Muçollari dhe zotin Pano, dy djem të shkëlqyer”, u shpreh ai.
Sipas PD-së, rezoluta thekson si probleme kryesore të zgjedhjeve në Shqipëri blerjen e votave, keqpërdorimin e burimeve publike, punësimet elektorale dhe favorizimin e mbështetësve të PS-së. Vetë kryeministri Edi Rama, në një reagim për rezolutën, e quajti atë një “fletërrufe” dhe alibi për “humbjen madhështore” që kundërshtarët e tij do të pësojnë në zgjedhjet e 11 majit.
Mes të tjerash, Berisha premtoi infrastrukturë më moderne arsimore dhe shëndetësore.
“Garantoj çdo të sëmurë në këtë vend se nuk do t’u mungojnë kurrë ilaçet për shëndetin tuaj. Edhe sikur të mos kishim, përsëri them atë që thashë për rrugët, stolitë e grave do i shisnim që ju të mjekoheni. Por nuk ka nevojë të shesim asnjë stoli. I kemi të gjithë paratë, por duhet të ketë shpirt ai që u lë ju pa ilaçe. Ai është, mund t’i vësh çdo epitet, por vetëm njeri nuk është. Ai që u lë ju pa ilaçe kryen krime kundër njerëzimit dhe është i aftë të bëjë gjithçka. Kështu që tre muajt e parë merr fund ky kalvar dhe shqiptarët do kenë të njëjtën listë rimbursimi të ilaçeve si republika italiane. Por njeriu që shkelmon mbi fisnikërinë njerëzore, mbi bamirësinë njerëzore, mbi dhembshurinë njerëzore, është vite dritë larg nga njeriu i qytetëruar. Ka vetëm formën, asgjë të përbashkët me të”, shtoi Berisha.
/rtsh.al/