Federata e Futbollit të Serbisë për flamurin e Kosovës: Dështimi i organizatorëve

BEOGRAD, 3 prill /ATSH-TANJUG/- Serbia ka provokuar sërish Kosovën, duke shkaktuar një tjetër incident të rëndë, pasi ka hequr flamurin e Kosovës në Kongresin e 49-të të UEFA-s që po mbahet në Beograd.
Në një reagim, Federata e Futbollit të Serbisë (FAS) ka njoftuar se Federata Evropiane e Futbollit, e cila është organizatore e Kongresit të UEFA-s – ka theksuar se sot në Beograd nuk ka patur asnjë flamur apo simbol të Kosovës.
Kongresi i 49-të i UEFA-s u mbajt sot në “Sava Center”, në Beograd.
Organizatori i kongresit është UEFA – ndërsa FAS është mikpritës i njerëzve më të rëndësishëm të futbollit në Evropë dhe botë.
“Organizimi i jashtëzakonshëm u la në hije nga mbikëqyrja – pasi një pjesëmarrës i Kongresit u përpoq ta përdorte për interesa jo-futbollistike. Ne reaguam së bashku, shpejt dhe me vendosmëri, dhe me përgjegjësi të plotë informojmë opinionin se në Kongresin e UEFA-s sot në Beograd nuk ka asnjë flamur apo simbol të Kosovës”, thuhet në faqen zyrtare të FAS.
Pas kësaj deklarate, ka reaguar edhe Federata e Futbollit të Kosovës – e cila ka këmbëngulur se vendi është përfaqësuar në kongres me simbolet dhe flamurin e shtetit.
“E kuptojmë se prania e delegacionit të Kosovës në kryeqytetin serb, si dhe fakti që flamuri i shtetit tonë valëvitet përkrah atyre të shteteve të tjera, vazhdon të jetë i papranueshëm për politikën dhe një pjesë të opinionit në Serbi. Megjithatë, shteti i Kosovës është një realitet i pakthyeshëm dhe sa më shpejt ta pranojnë këtë, aq më shpejt do të kontribuojnë në normalizimin e marrëdhënieve sportive dhe shtetërore”, shkroi sot FFK-ja. //a.i/