Berisha në Berat: Të lëmë mënjanë çdo lloj hatërmbetje si hap drejt fitores

TIRANË, 9 janar /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha mori pjesë në një takim të organizuar nga dega e PD-së në Berat prej nga deklaroi se sot ekziston një front, më i gjeri që ka ekzistuar nga viti 1991 i pakënaqësisë ndaj qeverisë.
“Shqipëria e sotme, krahasuar me vitin 1991, është vite drite larg, por e vërteta është, për fatkeqësinë tonë, ka edhe disa ngjashmëri të pamohueshme”, tha Berisha.
Sipas Berishës, qeverisja aktuale në 12 vite, hapi një gropë të madhe, një gropë të tmerrshme varfërie, nga e cila shqiptarët ikën, e zbrazën vendin e tyre.
Berisha kërkoi që të zhvillohen takime intensive me qytetarët në mënyrë që të arrijnë fitoren në zgjedhjet e 11 majit.
“Na përket ne që këtë front ta bashkojmë dhe të shënojmë në datën 11 maj, fitoren më të thellë që kemi shënuar ndonjëherë. Të çlirojmë Shqipërinë nga kjo diktaturë që po e shkatërron, po e zbraz në mënyrën më të pamëshirë këtë vend”, tha Berisha.
Sipas Berishës, kjo kërkon bashkimin e të gjitha kontributeve në PD.
“Politika nuk është kurrë arti i inateve personale, i hidhërimeve, por i qëllimeve të përbashkëta, i idealeve të përbashkëta, i vlerave të përbashkëta. Ndaj dhe këtu nga ky qytet i bekuar, ftoj çdo demokrat të Beratit dhe mbarë Shqipërisë, të bashkohemi, të lëmë mënjanë çdo lloj hatërmbetje, të kthehemi në genin tonë, në genin e tolerancës. Jemi demokratë, na bashkojnë vlerat, nuk jemi inatçorë, nuk na udhëheqin inatet.
Sepse duhet të bëjmë këtë që të bëjmë hapin tjetër më të madh drejt fitores”, deklaroi Berisha.
Berisha iu bëri thirrje qytetarëve që të ndihmojnë të afërmit e tyre në emigracion që të regjistrohen për të votuar në zgjedhje.
“Është në duart tuaja sepse kësaj here secili nga ju, secili nga ne, e ka të mundshme pothuaj ta trefishojë, ta dyfishojë, ta katërfishojë votën e tij me vëllezërit dhe motrat tona në emigracion. Ndaj të fillojmë që nesër me telefonata, me letra, me çdo gjë, t’i ndihmojmë të regjistrohen, t’i ftojmë të regjistrohen, të ecim së bashku në fitoren më të thellë”, tha Berisha. /j.p/