E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Akuzat e Berishës, Majko: Do të jetë situatë elektorale shumë e ashpër

TIRANË, 9 janar /ATSH/ Deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko u shpreh sot se sulmet e kryedemokratit Sali Berisha i shikon të lidhura me kalimin e tij nga Kukësi në fushëbetejën elektorale të Tiranës.

Në një intervistë për mediet, Majko tha se është i shqetësuar për faktin se ka humbur linja dalluese midis asaj që është vërteta dhe gënjeshtra.

“Unë jam mësuar me sulme sepse sulmet janë të natyrshme në politikë aq më pak në një situatë elektorale që duket se do të jetë një situatë elektorale shumë e ashpër. Ajo që më shqetëson për momentin përballë publikut është po ndodh një proces që quhet martesë e gënjeshtrës me të vërtetën. Pra ka humbur linja dalluese midis asaj që është e vërteta dhe gënjeshtra. Sepse një e vërtetë martohet me 10 gënjeshtra dhe publiku e ka shumë të vështirë të kuptojë se kush bën çfarë. Kështu mendova se procedura më e drejtë nuk ishte futja në debate të përgjithshme të fjalës. I jam drejtuar SHISH nëpërmjet kryetares së kuvendit duke i bërë asaj kërkesë që të bëhet sqarimi përkatës”, tha ai.

Por a është takuar Pandeli Majko me personazhet e përmendur nga Berisha si pjesë e pretenduar e një regjistrimi ambiental nga dega lokale e  SHISH në Kukës?

“Sigurisht që jo. Sidomos me ish-drejtorin e policisë i cili edhe nga vlerësimet e medias, në atë periudhë që unë kam qenë i deleguar në Kukës pra në zgjedhjet e majit të 2023 ai ishte i larguar që në 2021. Kështu që nuk mund të takohesha me dikë që kishte dy vite i larguar. Dje më thanë se emri i tij ka ndryshuar nga Alban është bërë Ardian më saktë ish drejtori i OSHE-së”, tha ai.

Pandeli Majko e përjashton për momentin një betejë ligjore në gjykatë për shpifje ndaj kryetarit të PD-Sali Berisha.

“Unë e kam parim. Nuk para bëj akuza për natyra të tilla. Nuk e kam bërë për asnjë gazetar apo politikan pasi mendoj se nëse do të merresha më këtë do të duhej shumë kohë dhe financim. Mendoj se çdo qytetar e ka shumë të qartë se unë nuk mund të shkoja në Kukës e të fitoja zgjedhjet duke shitur shtylla”, deklaroi Majko për Top Channel. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›