E Martë, 3 Nëntor 2026

Berisha në Breshia: Paketa e dhembshurisë do të kursejë remitancat

TIRANË, 13 prill /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha premtoi sot në takimin e “Aleancës për Shqipërinë Madhështore” me shqiptarët që jetojnë dhe punojnë në Breshia të Italisë, se minimumi jetik do të jetë 200 euro. rroga minimale do të jetë 500 euro dhe rroga mesatare do të jetë 1200 euro.

Berisha gjithashtu u shpreh se, Paketa e dhembshurisë do të kursejë remitancat e shqiptarëve në diasporë që të kursejnë dhe të vijnë dhe investojnë në Shqipëri.

“Dje ne paraqitëm programin e ‘Shqipërisë Madhështore’ programin të cilin ju garantoj se PD do ta shndërrojë në realitet në 4 vitet e para të qeverisjes së saj. Ky program buron nga shpirti juaj, buron nga zemra juaj, buron nga forca juaj, ky program ka ekspertizën më të lartë që mund të ketë pasur një program ndonjëherë. Ky program parashikon rikthimin tuaj, investimet tuaja në Shqipëri, ëndrrat tuaja në Shqipëri”, tha Berisha.

Ndaj, shtoi ai, “e nisim me paketën e dhembshurisë në mënyrë që ju, remitancat tuaja me të cilat keni shpëtuar familjet tuaja, keni shpëtuar ekonominë shqiptare, t’i kurseni dhe të vini të investoni 5 vite pa taksa”.

Berisha deklaroi se, “200 euro do të jetë minimumi jetik. 500 euro do të jetë rroga minimale. 1200 euro do të jetë rroga mesatare. 5 vite pa taksa për ju. Pjesëtim disa herë i taksës së pronës për ju, shkolla për fëmijët tuaj kudo që jeni”.

“Kombi do të shkrihet në një. Të drejta politike me ligj dhe statut për të përfaqësuar diasporën në proporcion në gjitha institucionet e vendit”, tha ai.

Po ashtu, kreu i PD theksoi se,  ‘Made in Albania’ është projekti i Shqipërisë prodhuese.

“Shqipëria prodhuese, prodhim, prodhim dhe vetëm prodhim.  Prodhimi është punësim.  Prodhimi është mirëqenie. Prodhimi është rrogë e lartë”, tha ai. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›