E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha në Burrel, një paragraf për arritjet dhe një mal me akuza për Ramën

berisha ne burrelNë takimet elektorale të kryeministrit Berisha, tashmë është bërë evidente që më shumë se sa arritjet apo premtimet se çfarë do të bëjë nëse rizgjidhet sërish, pjesën më të madhe të fjalimeve ia kushton kreut të opozitës, Edi Rama. Këtë gjë ka bërë edhe gjatë ditës së sotme në Burrel. Fillimisht ka folur për arritjet e qeverisë.

Sot jemi të mbledhur në këtë shesh për të nderuar para së gjithash njeri- tjetrin, për të nderuar Matin dhe Shqipërinë, sepse në një hark kohor të shkurtër, me dashurinë tonë për Matin dhe Shqipërinë, me përkushtimin tonë, me punën tonë, me djersën dhe mundin tonë, me besimin e madh dhe të pakufishëm te njëri-tjetri, te Mati, te Zoti dhe vendi ynë, ne ia dolëm që Shqipërinë e skajuar, Shqipërinë e mënjanuar, Shqipërinë e cila nuk po konsiderohej nga askush ta bëjmë anëtare të NATO-s; ia dolëm të firmosim Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit; ia dolëm të lëvizim të lirë, pa viza, në Evropë; ia dolëm të meritojmë statusin e kandidatit. Këto janë arritje historike që secili prej jush, çdo qytetar shqiptar, ka firmosur këto vite të qeverisjes së Partisë Demokratike, tha Berisha.

Dhe, pas kësaj ka nisur breshërinë e sulmeve ndaj Ramës, duke i kushtuar kështu pjesën më të madhe të fjalimit të tij, pikërisht kreut të opozitës.

Ne kemi ndërtuar në mbarë vendin mbi 10 mijë kilometër rrugë, kemi ndërtuar rreth 11 mijë kilometër rrugë në të katër anët e këtij vendi. Vëllezër, dëgjojeni matematikën e mashtrimit. Matematika e mashtrimit thotë se në Shqipëri janë ndërtuar dhe rindërtuar 1500 kilometra rrugë. Vetëm Fondi Shqiptar i Zhvillimit me një buxhet prej 320 milionë dollarë ka ndërtuar 1520 kilometra rrugë. Por Fondi i Zhvillimit të Rajoneve, i cili ndërton jo rrugët rurale, por ndërton rrugët e fshatrave dhe qyteteve tona, ka pasur një buxhet 3-herë më të madh se Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Ndërsa ministria e Punëve Publike, Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve, përgjegjëse për ndërtimin e rrugëve kombëtare, ka pasur një buxhet 10 herë më të madh se Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Zoti Rama pasi mësoi këto shifra, i tronditur në autobusin e tij mavi deklaroi se e shihni sa shumë para ka prishur qeveria në rrugë. Ku janë rrugët? Zotëri, autobusi yt me xhama të zinj nuk lejon të shohësh asgjë në këtë Shqipëri.

Socialistë, demokratë, qytetarë të Matit dhe gjithë Shqipërisë shtrojini vetes pyetjen se pse Edi Rama votoi kundër të gjitha rritjeve të rrogave dhe pensioneve të qytetarëve shqiptarë? Pse Edi Rama votoi kundër rrugës së kombit, rrugës së Arbrit dhe të gjitha buxheteve për rrugët e Matit, të Dibrës, të Gjirokastrës dhe mbarë Shqipërisë? Pse Edi Rama votoi kundër fondeve për internetin në çdo shkollë? Pse Edi Rama votoi kundër rrugëve që të çojnë në zonat turistike? Pse votoi kundër të gjitha ligjeve, të cilat duheshin për heqjen e vizave, duheshin për anëtarësimin në NATO, duheshin për marrjen e statusit? A është kjo alternativa e bllokimit? A e meritoni ju bllokimin? A meritoni ju të mos rriten rrogat? A meritoni ju të mos rriten pensionet? A meritoni ju të mos zgjerohen bizneset? A meritonit ju të mos ishit në NATO? A meritonit ju të mos lëviznit të lirë, pa viza? A meritonit ju tju mbante peng statusin e vendit kandidat për 1 vit rresht? Të gjitha këto kanë vetëm një shpjegim ai përpiqet më çdo kusht të riktheje neobllokmenët në pushtet, u shpreh Berisha në fjalën e tij./b.l

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›