E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Berisha në Durrës: Më 14 maj të votojmë ndryshimin për të ndalur të keqen!

Ndërsa zgjedhjet lokale të 14 majit afrojnë, kryetari i Komisionit të Rithemelimit në PD, Sali Berisha vazhdon të shprehi bindjen se kandidatët e koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë” do të fitojnë në këto zgjedhje.

Në takimin me qytetarë të Durrësit ndërsa prezantoi kandidatin Igli Cara, figurë e njohur e demokratëve, zoti Berisha shprehu shqetësimin për fenomenin e braktisjes së vendit. Sipas tij një e treta e popullsisë, në 8 vite, ka braktisur Shqipërinë. Ai akuzoi për këtë situatë kryeministrin socialist Edi Rama. “Ky quhet gjenocid dhe ky largim është krim kundër njerëzimit” tha zoti Berisha. “Në vend që të punojnë në industrinë e tyre turistike, shkojnë dhe shërbejnë në turizmin e vendeve të tjera. Në vend që të punojnë në femrat e tyre, shkojnë dhe punojnë në fermat e të tjerëve. Përse po largohen shqiptarët? Po largohen sepse ka një politikë gjenocidiale. Edi Rama po bën gjithçka që të largojë durrsakët nga Durrësi, t’i largojë shqiptarët nga Shqipëria” tha zoti Berisha.

Kreu i Rithemelimit kujtoi kohën kur PD ishte në pushtet. “Në vitin 2013, rrogat në Shqipëri ishin më të lartat në Ballkan. Nga viti 2007 deri në vitin 2014, numri i shqiptarëve rritej në Durrës dhe mbarë Shqipërinë” tha zoti Berisha, ndërsa vazhdimisht përsëriti thirrje për të mbështetur me votë koalicionin opozitar “Bashkë Fitojmë”.

/ rtsh.al /

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›