E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Podcasti “Flasim”, Rama: Nxorëm sportin nga harresa! 7 kampionët elitarë: Krenar që ngritëm flamurin e Shqipërisë

7 sportistët elitarë, njëherësh kolonel të Forcave të Armatosura, kanë qenë të ftuarit e parë në podcastin ‘Flasim’, të kryeministrit Edi Rama.

Shtatë kampionë prej majave më të larta të sportit botëror kanë ndarë momentet e tyre të bukura e momente të zymta të ngjitjes së tyre drejt majës.

Rama, në episodin e parë të këtij podcasti, tha se ndihet i lehtësuar që më në fund qeveria po bën një trajtim dinjitoz të tyre duke e nxjerrë sportin nga “harresa”.

 “Ka qenë një nga barrat shumë të rënda të problemeve dhe sëkëlldive të harruara kjo e kampionëve që shkëlqejnë dhe më pas i përpin harresa dhe pasi lënë aktivitetin kthehen në njerëz të zakonshëm e pasi zbresin nga maja e olimpit bien edhe në situata të papranueshme varfërie”, tha Rama.

Luiza Gega, Briken Calja, Erland Qerimaj, Alban Beqiri, Majalinda Kelemendi, Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova janë shprehur krenar që kanë ngritur lartë flamurin e Shqipërisë në podiumet ndërkombëtare, ndërsa kanë treguar edhe vështirësitë e tyre për të arritur deri në majat elitare të sportit, duke bërë edhe popullin shqiptar të ndihet krenar për to.

Mesazhet nuk kanë munguar as për të rinjtë, ku kampionia e atletikës Luiza Gega u ka bërë tirrje të mos largohen nga vendi, por të ndihmojnë Shqipërinë të bëhet një vend edhe më i mirë për ta. Nga ana tjetër kryeministri Rama inkurajoi rininë të ndjekë ëndrrat dhe pasionet e tyre.  

“Se kuptoj pjesën që pse duan të ikin dhe mos të bëjnë diçka të mirë për vendin e tyre. Nëse bëhemi të gjithë bashkë, siç jemi edhe ne sot, mund do bëjmë shumë gjëra të mira dhe Shqipëria mund të ecë para. Unë jam krenare për sportin kur shoh sa kanë ndryshuar gjërat. Shpesh të rinjve iu them do doja të isha edhe njëherë 20 vjeç se ne e kemi nisur me shumë sakrificë dhe ndihesha jo e barabartë me shtete e tjera”, tha Gega.

“Unë besoj që çdo ëndërr që njeriu shikon me sy hapur dhe ka kurajo forcën burimin vullnetin, energjitë të shkojë drejt ëndrrës, të ngrihet të rrëzohet ia del. Mesi kur ishte i vogël ishte një fëmijë që nuk rritej, kishte problem me gjëndrën e hipofizës. Ai thotë do luaj, dhe ai ja arriti. Ermonela Jaho ka është sopranoja jonë e famshme, ka qenë tek liceu nga një familje e varfër “, tha Rama.

Edhe xhudistja Majlinda Kelmendi tha se ka luftuar fortë që të sillte medalje për Kosovës edhe pse kishte oferta marramendëse për të përfaqësuar vendet e tjera

“Ka pasur sportistë të mëdhenj që për shkak të mospërkrahjes është dashur të përfaqësojnë shtete të tjera prej rrethanave. Unë kam pasur oferta milionëshe prej shteteve të tjera kështu që gjatë ceremonisë kisha emocione të mëdha e jam ndjerë krenare me vetes se kur kam marrë oferta, familja ka qenë në situatë të vështirë ekonomike dhe s’kam qenë e sigurt nëse duhet t’i refuzoja apo jo. Ishte trajneri që ka instistuar të mbetemi në Kosovë e s’do ia kisha falur vetes që medalja olimpike të mos e sillja në Kosovë. Jam e lumtur që ëndrra ime është bërë realitet”, tha Kelmendi

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›