E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha në Kamëz, "tërheq" 835 të rinj në PD

Berisha e cilësoi këtë moment si hapjen e si parit të 20 vjetorit të themelimit të Partisë Demokratike dhe pluralizmit në Shqipëri, për të kujtuar lëvizjen e madhe nëpër rrugët dhe sheshet e Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë në përballje me partinë e diktaturës më të egër që Evropa ka njohur.

Kryeministri iu drejtua të rinjve se 20 vjet më parë ishte rinia ajo që do të brohoriste nëpër rrugët “Shqipëria në NATO”, “Shqipëria si gjithë Evropa”, ëndrra këto që po kthehen në realitet.

“Ishit ju, të rinjtë dhe të rejat e Shqipërisë, që përcaktuat fitoren historike të Partisë Demokratike në vitin 1992; ishit ju, të rinjtë dhe të rejat e Shqipërisë, që me votën tuaj, me guximin tuaj, me vendosmërinë tuaj bëtë që në vitin 2005 të përzinit nga pushteti rebelët që erdhën me armë në pushtet; ishit ju, të rinjtë dhe të rejat e Shqipërisë, që u ngritët mbi mashtrimin, trillimet, shpifjet dhe në vitin 2009 i dhatë fitoren Partisë Demokratike”, iu drejtua kreu i qeverisë të rinjve të kësaj zone.

Kryeministri Berisha u ndal, gjithashtu, edhe në procesin e integrimit të Shqipërisë, ku theksoi se rruga drejt Evropës nuk është bulevard me lule, por vendosmëria është e madhe.

“Me vendosmërinë tonë, me kurajën tonë, me ndershmërinë tonë ne do të ecim të sigurt dhe në sukses të plotë drejt Shqipërisë evropiane, drejt të ardhmes evropiane, drejt idealeve tona evropiane”, u shpreh Kryeministri. Duke folur për shkollimin e të rinjve, Kryeministri garantoi se çdo i ri do t’i ketë të hapura dyert në shkollat e mesme dhe se çdo maturant do të ketë të hapura dyert në universitete.

“Ne jemi ata që në 4 vite pothuajse trefishuam numrin e studentëve. Ne ju garantojmë ju se çdo i ri në Shqipëri do të ketë të hapura dyert në shkollat e mesme dhe çdo maturant do të ketë të hapura dyert në universitete”, u shpreh Kryeministri Berisha.

Kryeministri u ndal edhe në zbatimin e programit “Shqipëria dixhitale” dhe i siguroi të rinjtë se brenda këtij mandati secili prej tyre do të ketë kompjuter dhe internet në shtëpinë e tij. Lidhur me punësimin, Kryeministri u shpreh se Shqipëria po bëhet vendi më tërheqës për investimet shqiptare dhe të huaja, të cilat do të krijojnë qindra e mijëra vende pune.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›