Berisha në Lezhë: Ata që kërcënojnë qytetarët do të shpallen terroristë

TIRANË, 8 maj /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha zhvilloi sot takimin përmbyllës të fushatës elektorale të koalicionit PD-ASHM në Lezhë.
Në fjalën e tij Berisha u shpreh se në Shqipëri ka vetëm rritje betoni.
“Edi Rama thotë se ka rritje. Po, ka një rritje, nuk e mohoj. Kjo rritje është rritje e betonit. Betoni dhe droga është krijuar një raport më i fortë, më i madhi në Europë”, theksoi ai.
“Po prodhimi industrial që bie tre vite me radhë, me të cilin lidhet direkt mirëqenia, rroga, puna? Po prodhimi bujqësor, që bie, me të cilin lidhet jetesa e 380 mijë fermerëve. Kjo rritje është rritje oligarkike, e trafikantëve të drogës, e qeveritarëve që i mbështesin”, tha Berisha.
“Hajde po deshe blije një apartament në Tiranë, duhet të punosh 110 vite dhe nuk e blen dot kurrë. Merr fund”, u shpreh kreu i PD.
Berisha garantoi se, “në 100 ditë, prodhimi industrial, eksportet, prodhimi bujqësor do ketë mbështetjen më të madhe”.
“Në histori ne kemi qenë edhe më të varfër se sot. Kemi përjetuar mynxyra të mëdha, diktaturën më të egër. Kemi përjetuar luftëra. Në Luftën e Parë Botërore, 6 fuqi të huaja kanë hyrë në Shqipëri. Po kurrë ndonjëherë Shqipëria nuk ka pasur djepe bosh si sot”, tha ai.
Berisha u shpreh se, “620 mijë të rinj u larguan nga viti 2014 deri në vitin 2023. E dëgjuat mësuesin e nderuar? Të njëjtën çështje shtronte një mësues tjetër në një rreth tjetër”.
Pra, shtoi Berisha, “largimi i këtyre të rinjve për shkak se nuk gjejnë punë, për shkak se nuk kanë vlerësim, për shkak se ëndrrën e tyre detyrohen ta ndjekin jashtë vendit. Mbeten në vetmi qindra mijëra familje dhe në një vetmi të vështirë”.
“A ka mundësi të pranojmë ne një situatë të tillë? Jo, kurrë. Në qoftë se ecim në këtë mënyrë, fara jonë do zhduket. OKB njoftoi se kemi treguesin më të ulët në botë të lindjeve. Kurrë nuk do e kisha besuar se ky tregues është kaq katastrofik, por është i vërtetë”, tha Berisha.
Pra, vijoi Berisha, “një e keqe e madhe po na përpin. Një apel i thellë nga thellësia e shpirtit na fton që ta ndalojmë me çdo kusht dhe çdo çmim. T’u kthehemi përpjekjeve titanike për të sjellë kombin në rininë e tij. Çfarë u thoshte? Sepse këta të rinj nuk ikin nga ne se nuk na duan. Por këta të rinj nuk jetojnë dot. E dëgjuat vetë, tre ditë u thoshte në Tepelenë se për ju mandatin e katërt do t’u japim dy kg farë kungulli të qëruar. A nuk ishte kjo edhe një apel që ikni edhe ju?”.
Pra, shtoi Berisha, “këto 100 ditë, o miq, janë jetike, po më jetike se çdo gjë është dita 11 Maj. Më 11 maj, as unë, as ju dhe asnjëri prej nesh nuk ka pasur votë më të rëndësishme për fatin e shqiptarëve. Një komb pa të rinj nuk ka të ardhme. Kështu që t’i thërrasim gjakut tonë, t’i thërrasim shpirtit tonë, të mos pranojmë këtë të keqe të madhe. Është një kushtrim që buron nga shpirti i çdo atdhetari, nga shpirti i çdo qytetari jashtëpartiak”.
Berisha tha se, “Lezha qëndron si kryeura të lidhjes së kombit tonë me Perëndimin. Këtu u lidh besa, prijësi ynë i përjetshëm u bë një mbrojtës i vlerave dhe qytetërimit perëndimor”.
Ndaj dhe sot, nënvizoi Berisha, “është kohë bese, është kohë që të vendosim, por edhe të dëgjojmë. 4 rezoluta nga të gjitha forcat politike konservatore të botës që e damkosin Edi Ramën si armik të votës suaj”.
“Në Valencia, partitë që udhëheqin Europën, u tha se Edi Rama shtyp opozitën me drejtësinë e tij. Shtyp pluralizmin. U tha se Edi Rama blen vota me lekë. Po pse e thanë? Sepse kanë parë vendimin e qeverisë që shpërndan 100 euro. U tha se Edi Rama blen vota me kanabis. U tha se Edi Rama blen vota me punësime sepse e kanë parë se ka punësuar mijëra vetë për të blerë vota. U tha se Edi Rama terrorizon qytetarët e tij me banditë dhe vrasës”.
Berisha bëri edhe një thirrje për të gjithë ata që sipas tij blejnë vota.
“Ju garantoj se qeveria e PD, të gjithë ata që guxojnë t’u kërcënojnë ju, që guxojnë t’u diktojnë vullnetin tuaj, ata do shpallen terroristë dhe do trajtohen me ligjet e terrorizmit. U them sot këtyre banditëve, se lufta juaj është luftë me mullinjtë e erës se nuk ka gjë në botë që mund të mposhtë lezhjanët dhe shqiptarët në betejën e tyre për rikthimin e demokracisë”, tha Berisha.
/r.e/a.f/