E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama: Përgjegjësia ime të garantoj pavarësinë e drejtësisë, ‘bufi’ do shkrij SPAK-un në datë 12

TIRANË, 8 maj /ATSH/ Kryeministri, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama në një intervistë televizive mbrëmjen e të enjtes foli për reformën në drejtësi.

Rama u shpreh se, korrupsioni nuk është “patate e nxehtë” e qeverisë.

“Sepse qeveria është për të qeverisur, nuk është as për të bërë hetime, as për të gjykuar se kush është fajtor dhe kush është i pafajshëm”, tha Rama.

Sa i përket hetimeve, para 2013-s, Rama u shpreh se, “si do kishte këtë nivel hetimi para 2013-s, kur parardhësi im, “bufi i kënetës” ishte në krye të operacionit të vrasjes së njerëzve në Bulevard? Sepse ishte në zyrë kur nga dritaret e Kryeministrisë, të kthyera në frëngji të kullës së sedrës së tij, gjuhej me plumba prej vërteti mbi njerëz të paarmatosur dhe u vranë 4 veta. Prokuroria e Përgjithshme nisi letrën normale për të thirrur 3 drejtues policie dhe “bufi”, paraardhësi doli dhe tha “lavirja e Bulevardit as mos t’i shkojë mendja”, dhe i mori në mbrojtje. ÇFarë hetimesh prisje ti në kohën e “bufit të kënetës”?”.

Rama tha se, “e kemi sjellë ne këtë kohë kur hetohet sepse kemi bërë gjënë që nuk e ka bërë asnjë shqiptar dhe asnjë grup shqiptarësh në pushtet që nga 1912-a, kemi dorëzuar pushtetin e drejtësisë, ia kemi dorëzuar drejtësisë. Atë shpatën që mban ajo zonja e drejtësisë”.

Sa i përket kreut të SPAK, Altin Dumani tha se, “rezultatet e tij janë të tijat dhe opinioni im për të është publik, është i vizatur në kornizë dhe nuk lëviz opinioni im për atë person, sepse ai ka merita të pamohueshme dhe ka gjithë solidaritetin tim për gjithë çfarë i ka ndodhur dhe familjarisht, se unë e di çfarë domethënë. Por, ama jo rezultatet. Ekzistencën e tij dhe ekzistencën e kësaj drejtësie e marr unë, patjetër, bashkë me PS-në si meritë”.

Se, shtoi Rama, “Altin Dumani nuk lindi para 3 vitesh, as nuk doli nga shkolla para 3 vjetësh, as nuk na e sollën me aeroplan ose me anije. Ka qenë prokuror në Shqipëri nuk e di sa vjet ka qenë. Pse? Si ka mundësi që ky njeri – kurajoz nuk diskutohet, me integritet absolut, unë e kam bindje se vetëm një njeri me integritet absolut mund të ndërmarrë ato hapa që ka ndërmarrë ai; profesionist po besoj. Tani, nga i erdhi gjithë kjo? Sepse i dorëzuam shpatën që ishte në zyrën time, që e përdornin të gjithë të parët e qeverisë sipas qejfit duke përdorur drejtësinë”.

“Kjo u bë duke filluar nga takimet. I thoja shqiptarëve: më jepni timonin pa të tjerë në prehër që të bëjmë një reformë në drejtësi dhe të kemi drejtësi të godasë majtas dhe djathtas. Për kë e kisha unë, majtas dhe djathtas? Dhe nëse sot ka hetime, nëse sot ka mbështetje për Altin Dumanin dhe për ata që bëjnë ato hetime, nëse sot ka një kapacitet të saposhfaqur të Shqipërisë që nga 1912-a për të tentuar barazinë para ligjit, këtë nuk e solli koha, këtë e solla vetëm unë me PS-në. Ata të tjerët që i numëron ti 140, ata erdhën me kokën ulur me dorën lart edhe votuan”, tha Rama.

Sa i përket zyrtarëve të PS që janë në hetim nga SPAK, Rama tha se, “një familje e vogël, ku një anëtar i familjes mund të dalë nga shinat, larg qoftë dhe mund të bëjë një krim. Një organizatë e vogël ose e madhe, një kompani e vogël ose e madhe, një parti politike e vogël ose e madhe, një institucion, nuk gjykohen nga fakti që një anëtar i bashkësisë së tyre bën diçka që është e turpshme, por gjykohen nga mënyra sesi reagojnë”.

Rama u shpreh se, “përgjegjësia ime politike është vetëm një, të garantoj pakthyshmërinë e këtij procesi dhe të garantoj pavarësinë e drejtësisë nga ndërhyrja e pushtetit ekzekutiv”.

“Garancinë përfundimtare për barazinë para ligjit e merr vetëm kur Shqipëria të futet në BE, aty s’lëviz dot më Shqipëria, aty s’bën dot më interesantin asnjëri. Ndërkohë që ti sot ke “bufin” në anën tjetër thotë: “Më jepni votën, do shkrij SPAK-un në datë 12”, e thotë hapur”, tha Rama.

/r.e//a.g/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›