Berisha në Lezhë: PD duhet të hapet, koha na thërret të ripërtërijmë vendin

TIRANË, 6 tetor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi sot në Lezhë “Foltoren e Ripërtëritjes”.
Gjatë fjalës së tij, Berisha foli për nevojën e riorganizimit dhe hapjes së mëtejshme të PD-së, duke kërkuar aktivizimin e strukturave në çdo nivel.
Berisha u ndal te bilanci i qeverisjes së mëparshme të PD-së ku përmendi rritjen e pagave dhe pensioneve, investimet në infrastrukturë, arsim dhe shëndetësi, si dhe zhvillimin e sektorit të prodhimit.
Ai deklaroi se PD duhet të rikthehet te politikat që vendosin qytetarin në qendër.
“Për dy qëllime po ndalem tek këto. E para, po ndalem si zotim që ne këtyre do u rikthehemi, por edhe si garanci që ne i bëmë njëherë këto, do i bëjmë përsëri. Ndaj dhe ne na duhet pushteti”, tha Berisha.
Berisha e cilësoi ripërtëritjen e Partisë Demokratike si një domosdoshmëri për rikthimin e saj në pushtet, duke kërkuar hapjen e partisë ndaj të rinjve, grave dhe figurave të reja.
“Për të ardhur në pushtet, ne duhet të ripërtërihemi. Por tani koha na thërret nën moton, të ripërtërijmë PD-në, të ripërtërijmë Shqipërinë. Është në detyrimin tonë të hapemi ndaj të rinjve, ndaj zonjave, zonjushave, ndaj vlerave kudo që janë.”
Ai kërkoi që seksionet dhe strukturat lokale të jenë aktive dhe të komunikojnë me qytetarët, pavarësisht bindjeve të tyre politike.
“Ne në çdo qelizë tonë duhet të funksionojmë. Seksionet tona duhet të jenë në këmbë. Sot më shumë se kurrë duhet fjala juaj, duhet mendja juaj, virtytet tuaja në dialog me çdo qytetar të këtij rrethi, të këtij vendi, demokrat, indiferent, socialist, çfarëdo që të jetë ai”, tha ai.
Berisha e cilësoi të fortë opozitën e këtyre viteve. “Ne kemi ardhur në këtë fazë, në këtë moment pas një rruge të vështirë, të dhimbshme, por njëkohësisht dhe ndoshta rrugës më dinjitoze të jetës tonë politike”, theksoi ai.
Kreu i PD-së theksoi se gjatë qeverisjes së kësaj force politike, Shqipëria për konvertimin e rritjes ekonomike në mirëqenie për qytetarët e saj, u rreshtua e katërta në botë në mesin e 150 vendeve.
“Pse e përmend këtë? E përmend këtë se ky është zotimi ynë solemn.
Ripërtëritja e Shqipërisë për ne do të thotë para së gjithash ripërtëritje e qëndrimit ndaj qytetarëve”, tha Berisha. /m.q/j.p/