Berisha në Lezhë: Transformojmë Shqipërinë, në 100 ditë përzëmë nga vatrat tona mjerimin e skajshëm

TIRANË, 8 maj /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha zhvilloi sot takimin përmbyllës të fushatës elektorale të koalicionit PD-ASHM në Lezhë.
Në fjalën e tij Berisha tha se, “e tërë Shqipëria është në këmbë, e tërë Shqipëria pret 11 majin si orën e votës së shqiptarëve për shpresën, besimin, të ardhmen e Lezhës dhe Shqipërisë”.
Berisha theksoi se, “Lezha më shumë se çdo gjë tjetër simbolizon besën tonë, virtytin e të gjitha virtyteve. Simbolizon bashkimin”.
Ndaj, ai u bëri thirrje nga Lezha shqiptarëve të të gjitha bindjeve politike, “le të bashkohemi me 11 maj për të transformuar Shqipërinë në 11 ditë. Dhe unë u jap fjalën ju se pas 100 ditësh, kjo Lezhë, kjo Shqipëri do jetë tjetër”.
“Në qoftë se dal sot para jush, në qoftë se vij sot për të mbyllur fushatën elektorale me ju, nuk vij për karrigen time. Jo, vij për një mision. Të transformojmë së bashku Lezhën dhe Shqipërinë. Vij për një mision që në 100 ditë të përzëmë nga vatrat tona mjerimin e skajshëm që e mbolli Edi Rama me grupin e hajnave të tij”, tha Berisha.
“Në 100 ditë, çdo pensionist që merr sot nën 172 mijë lekë, dhe të tillë sot janë 560 mijë burra dhe gra, do marrë secili jo më pak se 200 euro. Në 100 ditë, çdo qytetar nuk do ketë rrogë më të ulët se 500 euro. Në çdo pensionist dhe rrogulët do ketë kartën e konsumatorit. Do blejë të gjithë gjërat bazë 20 për qind më lirë se të tjerët. Në 100 ditë, energjinë elektrike do e paguani me 7 lekë kilovati. Në 100 ditë, shqiptarët do kenë listën e barnave të rimbursuara 100 për qind që ka republika italiane. Në 100 ditë, nafta do shitet me çmimin e njëjtë me Kosovën dhe Maqedoninë, pra 40 për qind më lirë”, theksoi Berisha.
“Duam 100 ditë nga ju sepse do jenë 100 ditët tuaja, do jenë 100 ditë të ndryshimeve të mëdha. Çdo biznesmen i vogël do blejë energjinë me 6 lekë kilovati dhe jo 18. Çdo biznesmen i vogël do paguaj hapësirën publike një të pestën e asaj që paguan sot. Do paguajë tarifën e ujit sa gjysmën e asaj që paguan sot”, theksoi Berisha, i cili shtoi se kjo përbën një ndryshim të madh për çdo biznesmen.
Çdo biznesmen i mesëm apo i madh, tatim fitimin nga 23 për qind do e ketë 10 për qind. Të gjithë rrogëtarët me rroga mbi 500 euro do kenë një rritje të menjëhershme rroge prej 13 për qind. TVSH-ja do ulet në 15 për qind”, u shpreh Berisha.
Kreu i PD theksoi se, “jo më pak do përfitojnë fermerët e Lezhës dhe të Shqipërisë. Sot tregjet janë të mbushura me importe, sepse janë hapur doganat me Ballkanin e Hapur. Akti i parë, Ballkani i Hapur në kosh të plehrave. Çdo biznesmen do ketë subvencione për çdo fidan të mbjellë, për çdo kokë bagëti, për çdo njësi prodhimi, të barabarta me fermerin në Maqedoni, Serbi dhe vende të tjera. Sa janë ato? Pesë herë më shumë”.
Pra, shtoi Berisha “në qoftë se fermeri i Lezhës subvencionohet as 10 për qind të shpenzimeve, fermeri i Kosovës subvencionohet 70 për qind të shpenzimeve. Po më thoni ju mua, kush është më e pasur, Shqipëria apo Kosova?”
Prandaj, nënvizoi Berisha, “në 100 ditë ne bëjmë ndryshimin e madh. Bashkohuni në një besëlidhje për të votuar mirëqenien tuaj”.
Ai garantoi të gjithë fermerët se prodhimet e tyre do mbrohen në çdo sezon. Berisha gjithashtu garantoi eksportuesit dhe prodhuesit se do mbështeten fuqimisht nga qeveria.
“Mijëra ndërmarrje dhe ferma kanë falimentuar. Eksporti është përtokë për shkak të rënies së euros”, tha kreu i PD.
1 nga 10/a.f/r.e/