Berisha në Mat: Ky është një vend me perspektivë premtuese në agjendën energjitike të vendit
Kryeministri deklaron në një takim elektoral me qytetarët e këtij rrethi
Mati, një rreth në Shqipërinë veriore me qendër Burrelin, ku kalon lumi me të njëjtin emër, ka një perspektive premtuese në axhendën energjetike të vendit, sikurse dhe fushat e tjera të ekonomisë, ndër të cilat bujqësia.
“Në këtë rreth janë kontraktuar 4 Hec-e, por disa të tjera janë në punim e sipër”, u shpreh të mërkurën Kryeministri Sali Berisha gjatë një takimi elektoral që zhvilloi në qytetin e Burrelit. Siç njofton zyra e shtypit pranë qeverisë, Kryeministri prezantoi përpara banorëve të këtij rrethi arritjet e qeverisë në këto 4 vite, duke nënvizuar se “së bashku shndërruam në realitet premtime të mëdha dhe historike, anëtarësuam Shqipërinë në NATO, e nxorrëm atë në krye të rritjes ekonomike ne Evropë, të dytën në botë për klimën e biznesit”. Ai theksoi se në këto 4 vite u krijua një mjedis i favorshëm për biznesin, numri i bizneseve nga 40 mijë që ishte u rrit në 102 mijë, u dyfishuan rrogat e pensionet, u nxorrën mbi 400 mijë shqiptarë nga varfëria.
Kryeministri kujtoi në këtë 4 vjeçar në rrethin e Matit u investuan 18, 3 miliard lekë, ose 30 herë më shumë se qeveria socialiste. Ai përmendi ndërtimin e rreth 20 rrugëve, në bashkinë Klos, në Ulëz, Komsi, Bazë, Derijan, Macukull, etj, ndërtimin e 12 ujësjellësave dhe kanalizimeve, ndërtimin apo rindërtimin e 21 shkollave. Janë investuar, vijoi z. Berisha, dhjetëra herë më shumë në ambulanca e qendra shëndetësore, dhjetëra e dhjetëra herë më shumë në projektet e fermerëve të Matit. Pasi renditi këto arritje, Kryeministri u bëri thirrje banorëve që të vazhdojnë ndryshimin për Matin evropian, për Shqipërinë evropiane.
Ai premtoi se brenda dy javëve do të fillojë ndërtimi i rrugës së Urakës, Qafë Buallit në të gjithë gjatësinë. “Të gjitha fshatrat e Matit do të lidhen me rrugë të asfaltuara me qendrat e komunave, dhe të gjitha komunat do të lidhen me rrugë të asfaltuara me rrugën kombëtare”, tha Berisha, duke premtuar se pensionet në 4 vitet e ardhshme do të jenë më të larta se në 6 vendet anëtare të BE-së, sikurse dhe rrogat.
Kryeministri u premtoi fermerëve të Matit se toka e tyre do të vendoset e tëra nën ujë. “Ne do të investojmë për përpunimin e perimeve, për agrobiznesin, do të subvencionojmë për imputet dhe naftën për sipërfaqet e mbjella”, theksoi ai. “Të gjithë matjanët, pavarësisht bindjeve politike, demokratë, socialistë, apo të bindjeve të tjera, kanë një projekt dhe ky është projekti evropian”, tha Berisha duke u bërë thirrje qytetarëve që të mos japin asnjë votë për Edi Ramën, sepse, siç cilësoi ai, “Ramës nuk ia mbajti të dalë në shesh, të dalë në krye të listës tuaj dhe u fut nën tavolinën e kryetarit të Bashkisë”. Sipas z. Berisha, “kryesocialisti Rama e e bëri këtë sepse nuk ka pikën e respektit për ju, sepse nuk ka ka interes tjetër përveç lejeve të ndërtimit, se ju ka zëvendësuar ju me 99-shat e tij, të cilët i ka sekserë të lejeve të ndërtimit, ndaj bashkohuni me ne në projektin evropian”. Kreu i qeverisë u bëri apel qytetarëve të këtij rrethi që të tërheqin letërnjoftimin elektronik, dëshmia më moderne e identitetit tonë të plotë. Ai u bëri thirrje të gjithë matjanëve që në 26 qershor, në orën 19.00, të jenë në sheshin “Skënderbej”, në sheshin e fitores për Matin evropian, për Shqipërinë evropiane. “Në 28 qershor të gjithë votoni 10-tën, 10 është Partia Demokratike, është Evropa blu, 10-ta është fitorja", përfundoi Kryeministri Berisha.
...