Berisha në PD-në e Vlorës: E pres Edi Ramën në çdo kohë. Përzgjedhja e presidentit në vitin 2007, e padenjë
(E PERDITESUAR)- Kryeministri u tha demokratëve të Vlorës se Xhezair Zaganjori është pranuar në mënyrë universale nga opinioni publik shqiptar
Sali Berisha, kryetari i Partisë Demokratike, njëkohësisht kryeministër, gjeti kohë sot të takojë strukturat e kësaj partie në qytetin e Vlorës, ku po merrte pjesë në një inaugurim. Berisha tha përpara tyre se është gati të takohet me Ramën në çdo kohë, por ai duhet të thotë se çfarë vërejtjesh ka për kandidatin e mazhorancës.
Sot takoi kandidatin dhe pavarësisht se nuk ishte në gjendje në komunikatën e tij të lëshonte qoftë edhe një fjalë të vetme kundër tij, u shpreh se nuk votojmë se Sali Berisha na ka poshtëruar. Po çfarë poshtërimi ju ka bërë Sali Berisha? Unë pardje deklarova se si kryeministër unë jam i detyruar të pres çdo qytetar dhe aq më tepër kryetarin e opozitës që e pres absolutisht në çdo kohë që të dojë. Por në qoftë se është fjala për të arsyetuar për të patur një proces të suksesshëm urdhëro zotëri dhe më thuaj cila janë vërejtjet që ke për kandidatin, urdhëro zotëri paraqit kandidatin tënd, por po ta hedhësh poshtë apriori kjo është të nisesh nga klisheja e armikut. Sigurisht që do ta përmend unë i pari sespe jam shumicë, sigurisht që do ta propozojmë ne të parët sepse kemi një marrëveshje, e cila thotë zgjidhni presidentin e Republikës në mënyrë konsensuale, por kjo nuk e përjashton atë nga asgjë, tha Berisha.
Kryeministri deklaroi se Zaganjori është pranuar në mënyrë universale në opinionin publik. Bazuar në këtë proces ne kemi përzgjedhur deri tani një kandidat, i cili për herë të parë ka marrë një miratim universal në opinionin publik shqiptar dhe e vërteta është që rrallë ndonjëherë nuk ka ndodhur që një kandidat të mbështetet nga personalite të të gjithë spektrit politik, tha Berisha.
Kryeministri deklaroi se përzgjedhja e presidentit në vitin 2007 ishte e padenjë. U nxorën mësime nga praktikat e shkuara. Unë ju them ju që në vitin 2007 përzgjedhja e presidentit të republikës ka qenë absolutisht e padenjë sepse aty uleshin përfaqësuesit kryesorë të forcave politike dhe gradonin dhe zhgradonin emra dhe personalitete sikur të ishin jo politikanë që duhet të dëshmonin respektin më të madh ndaj tjetrit, por sikur të ishin Zeus që bënin natën dhe ditën, bënin furtunën dhe diellin, pra të gjitha, çka nuk mund të përsëritej më. Të gjithë ne që kemi marrë pjesë në atë proces dhe që kemi marrë pjesë edhe në procesin tjetër e kemi ndjerë veten të turpëruar nga ajo procedurë aspak dinjitoze dhe njeriu kur gabon nxjerr mësime dhe nuk përsërit të njëjtin gabim, tha Berisha.
Demokratët e Vlorës Berisha i garantoi se nuk do grisë marrëveshjen me PD. Këtë vit PD ka një marrëveshje me Lëvizjen Socialiste për Integrim, marrëveshje e cila përcakton në një nen të saj se Presidenti i ardhshëm i republikës do të zgjidhet me konsensusin e PD dhe LSI-së. Kjo është marrëveshja, kjo do të zbatohet dhe në asnjë rrethanë ne nuk imagjinojmë që të grisim një marrëveshje kaq të rëndësishme për vendin.