E Diel, 1 Nëntor 2026

Zbulohen detajet e letrës së Fyles. Një faqe për reformat, një rresht për presidentin

Share

Tema

Komisioneri për Zgjerim, Stefan Fyle, i ka drejtuar një letër kryeministrit Berisha dhe liderit të opozitës, Edi Rama, rreth mospërmbushjes nga Shqipëria të katër kushteve të vendosura nga Bashkimi Evropian me datë kufi 24 majin.

Letra është nisur ditën e enjte dhe ka mbërritur në zyrat respektive në mbrëmje. Një burim pranë zotit Fyle ia konfirmoi letrën gazetares së Top Channel-it në Bruksel, ndërsa gazeta Tema mësoi disa detaje nga përmbajtja e saj. Sipas burimeve të gazetës Tema, letra përmban një shqetësim të thellë në gati një faqe të saj për bllokimin e reformës zgjedhore, reformës parlamentare dhe heqjes së imunitetit dhe gati në një rresht përshkruhet i sigurt fakti se Shqipëria duhet të zgjedhë një president konsensual. Këtë përmbajtje e konfirmon edhe publikisht burimi nga Brukseli i gazetares Arta Tozaj, e cila thotë se në letër kërkohet në vijimësi frymë konsensuale dhe dialog mes palëve për të përmbyllur me sukses e pa vonesa të dëmshme reformën zgjedhore dhe parlamentare, si dhe për zgjedhjen e Presidentit.

Komisionari Fyle, duke analizuar dështimin e reformave të paralajmëruara për 24 maj, i lidh ato me statusin e vendit kandidat, që pritet të merret në vjeshtë dhe që mesa duket do të ketë probleme. Fyle, sipas TCH, ka paralajmëruar disa herë se mosmbyllja e reformave të paketës së nëntorit para 24 majit, mund të kthehet në pjesë të problemit, e jo të zgjidhjes për çështjen e statusit.

Dëshira e Brukselit ka qenë dhe mbetet zgjedhja sa më e shpejtë e Presidentit sipas germës dhe frymës së Kushtetutës. U takon partive politike shqiptare që të bëjnë të mundur që kjo situatë të kapërcehet, e të mos krijohen probleme shtesë. Ne do të dëshironim që zoti Sanino ta gjente Tiranën me kreun e ri të shtetit, në mënyrë që palët të angazhohen plotësisht në tryezë për të mbyllur reformën zgjedhore e gjithçka që ka të bëjë me zgjedhjet.

Ajo që është e re ne këtë histori është se Bashkimi Evropian ka një shqetësim shumë të madh pikërisht për reformën zgjedhore, reformën parlamentare dhe atë të heqjes së imunitetit, pikërisht ato çështje që Berisha po përpiqet ti heqë nga debati i ditës në Tiranë duke bërë një komedi për të gjetur president.

Sipas burimeve të gazetës Tema, shqetësimi më i madh i zotit Fyle mbetet reforma zgjedhore dhe vlerësimi i tij se sipas rekomandimeve të ODIHR, kusht kryesor për zgjedhjet e lira mbetet vullneti politik.

Berisha dhe Rama nuk kanë bërë ende asnjë koment për letrën, por fokusimi i saj tek tema, të cilat janë zhdukur nga debati në Tiranë për shkak të Berishës, tregon kahen e kundërt me Brukselin, në të cilën po ecën Shqipëria.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›