Berisha në Shkodër, i bindur në fitoren e koalicionit “Shtëpia e Lirisë”

Ish-kryeministri Sali Berisha ndërsa ka shprehur bindjen e tij në fitoren e koalicionit “Shtëpia e Lirisë” në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit në 6 bashki të vendit, u ka bërë thirrje shqiptarëve ti bashkohen këtij koalicioni.
Deklaratën e tij zoti Berisha e bëri nga Shkodra ku u prezantua Bardh Spahia kandidati i “Shtëpisë së Lirisë”.
“Asgjë nuk mund të pengojë “Shtëpinë e Lirisë” pa arritur fitoren e merituar. Kjo Parti Demokratike sot është në këmbë, është opozitë e vërtetë, është ajo që prisnin me padurim shqiptarët” tha zoti Berisha.
Më tej ai sulmoi kreun aktual të PD Lulzim Basha.
“Ata që janë brenda asaj selie duhet të largohen sa më parë nga shpifa, maska e pluralizimit Lul Brava dhe të rikthehen në partinë e votës së lirë. Ky është mesazhi im për çdo demokrat kudo që ndodhet. Të përfaqësosh Lul Bravën njeriu që në 30 vite ka krijuar standardin më të paimagjinueshëm të qëndrimit ndaj vetes, një peng i vërtetë, besoj se duhet të pyesësh mirë veten se kë përfaqëson” tha zoti Berisha.