Berisha në Shkodër, inspekton punimet në HEC-in e Ashtës
Kryeministri Berisha do të zhvillojë sot një vizitë në Bushat të Shkodrës ku do të inspektojë ecurinë e ndërtimit të hidrocentralit të Ashtës. Kryeministri do të asistojë edhe në vënien për herë të parë, në punë, të turbinave Hydromatrix të HEC-it Ashta 1.
Në këtë mënyrë, energji Ashta, një kompani e përbashkët midis kompanive VERBUND dhe EVN, nis testimin e prodhimit të energjisë për këtë hidrocentral.
Të dhëna mbi veprën
Afërsisht 27 muaj pas fillimit të ndërtimit të HEC-it të Ashtës, turbinat e para Hydromatrix të stacionit elektrik Ashta 1 sinkronizohen në rrjetin shqiptar të energjisë.
HEC-i Ashtës, i përbërë nga stacioni elektrik Ashta 1 dhe Ashta 2, ka një kapacitet të instaluar prej 53 MW. Duke filluar nga viti 2013, në HEC-in e Ashtës do të prodhohen 240 milion kwh energji elektrike, duke furnizuar me energji 100,000 familje. Vlera e investimit shkon në mëse 200 milionë euro. Nga viti 2012, energjia e gjeneruar do të ushqejë rrjetin shqiptar 110 kV.
Ky projekt nuk ka asnjë ndikim në mjedis. Energjia do të prodhohet pa shkaktuar ndotje të ajrit, duke kursyer 114,000 ton CO2 në vit. HEC-i i Ashtës zhvillohet bazuar në Mekanizmin për Zhvillim të Pastër (CDM) bazuar në Protokollin e Kiotos në Kuadër të Konventës së Kombeve të Bashkuara mbi Ndryshimet Klimatike (UNFCCC).
Në fund të periudhës 35-vjeçare të koncesionit, HEC-i do t`i kthehet Shqipërisë.