E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha në Slloveni, merr pjesë në samitin e BLED-it

Kryeministri Berisha i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Slloveni, do të nisë sot takimet me personalitetet më të larta të vendit.

Kryeministri Berisha do të pritet në takim nga kryeministri i Republikës së Sllovenisë, Janez Jansa, me të cilin do të zhvillojë një takim kokë më kokë që do të pasohet nga takimi mes dy delegacioneve dhe një prononcim i përbashkët për shtyp mes dy homologëve.
Më pas, Kryeministri Berisha do të takohet me Presidentin slloven, Danilo Turk, si dhe me Kryetarin e Kuvendit të Sllovenisë, Dr Gregor Virant.

Gjithashtu, në vijim të vizitës, Kryeministri Berisha do të marrë pjesë në edicionin e 7-të të Forumit Strategjik të BLED-it, një takim i përvitshëm, i cili organizohet nga Ministria e Punëve të Jashtme të Sllovenisë dhe Qendra për Perspektivë Evropiane. Nën moton Evropa dhe Rendi Botëror i Formësuar, Konferenca do të fokusohet në rolin e Evropës në një komunitet ndërkombëtar që ndryshon, sfidat rajonale në Evropën Jugore dhe Azinë Qëndrore, si dhe marrëdhëniet mes BE dhe Kinës.

Diskutimet mbi tema të tilla si Sfida të reja - Kampionë të rinj ,do ti adresohen rrugëve dhe mundësive të reja drejt nxitjes së rritjes ekonomike dhe rolit të një zhvillimi ekonomik të qëndrueshëm.

Pjesëmarrës të punimeve të Forumit do të jenë personalitete të larta ndërkombëtare nga Kroacia, Mali i Zi, Sllovakia, Jordania, Palestina, Sekretari i përgjithshëm i OECD, si dhe ai i OSBE-së, si dhe përfaqësues të fushave ekonomike, industriale, akademike, nga më shumë se 50 vende. Në forum do të marrë pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.

Në drekën e punës, të zhvilluar në kuadër të punimeve të Forumit Strategjik të Bledit, Kryeministri Berisha do tu adresohet të ftuarve me një fjalë. Gjithashtu, Kryeministri Berisha do të takohet edhe me Presidentin Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) Suma Chakrabarti.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›