Berisha në Uashington për Mëngjesin e Lutjeve
Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha arriti dje në Shtetet e Bashkuara për një vizitë gjatë së cilës do të marrë pjesë në Mëngjesin Kombëtar të Lutjeve në Uashington, një forum që mbahet çdo vit në muajin shkurt dhe që grumbullon udhëheqës nga e gjithë bota si një rast për t'u njohur dhe për të vendosur marrëdhënie mes tyre. Berisha e bëri vizitën e parë në zyrën e anëtarit të Dhomës së Përfaqësuesve në Kongresin amerikan, Eliot Engel, një personalitet që interesohet mjaft për çështjet e Kosovës dhe të Shqipërisë. Në takim, zoti Engel e siguroi kryeministrin Berisha se administrata e Presidentit Obama do të ndjekë të njëjtën politikë bashkëpunimi me Shqipërinë. Zoti Berisha bëri një prezantim të reformave që ka ndërmarrë vendi i tij në fusha të ndryshme. Kryeministri Berisha pati gjithashtu një darkë zyrtare me senatorin Tom Coburn dhe u prit nga anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve Dana Rohrabacher. Vizita e Kryeministrit Berisha përfshin edhe takime me Sekretaren e Departamentit amerikan të Shtetit, Hillari Klinton, me ish kandidatin republikan për president Xhon Mekein, me organizatat shqiptaro-amerikane, me delegacionin e Kosovës dhe me përfaqësuesit diplomatikë të Prishtinës në Uashington.