E Hënë, 2 Nëntor 2026

Berisha në Vaqarr: Fshati meriton të njëjtën infrastrukturë si një lagje qyteti

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në një takimin elektoral në njësinë nr.15, teksa prezantoi programin për fshatin premtoi jo vetëm infrastrukturë, por të njëjtin furnizim me ujë, të njëjtin furnizim me energji elektrike, të njëjtat kanalizime, të njëjtën shkollë si lagjja e qytetit.

Sipas Berishës, gjatë qeverisjes së kryeministrit Edi Rama, fshati nuk ka pasur vëmendje për shërbimet që sipas tij i meriton.

“Në rast se vështrojmë këto 12 vite të Edi Ramës, fshati shqiptar është ai që përjetoi dhe provoi pasojat më të rënda të këtij regjimi. Këto pasoja jashtëzakonisht të rënda filluan me të ashtëquajturën reformë e qeverisë vendore, ku ju humbët shërbimet që kryheshin në komunë dhe e tëra kjo ju la ju, pa shërbimet që meritoni.

Krijoi pas saj grupe të papërgjegjshme të emëruar dhe të pazgjedhur nga ju, të cilët nuk i jepnin kujt llogari përveç xhepit të tyre. Me reformën e quajtur territoriale, ju dha një goditje shumë e rëndë qeverisjes vendore, qeverisjes së qytetarëve, e cila kishte misione shumë të rëndësishme për zhvillimin e zonave.

Qeveritë vendore projektonin rindërtimin e rrugës, rindërtimin e objekteve, ndërtimin e tyre, qeveria qendrore financonte. Pse kjo? Ne kishim dhe kemi një filozofi, fshati, fshatari duhet të gëzojë të njëjtën infrastrukturë, pra të njëjtën rrugë, të njëjtin furnizim me ujë, të njëjtin furnizim me energji elektrike, të njëjtat kanalizime, të njëjtën  shkollë si lagjja e qytetit”, tha Berisha.

Berisha premtoi se pas 11 majit do të pesëfishojë subvencionet për fermerët, duke theksuar se çdo vend i zhvilluar mbështet financiarisht prodhuesit e tij.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›