Kriza në Kosovë, Osmani: Respektoni Kushtetutën, seanca konstituive duhet të zhvillohet brenda 48 orëve

Presidentja Vjosa Osmani ka reaguar ndaj kryesuesit të seancës së Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari, i cili i ka dërguar një letër, lidhur me dështimin e seancës së të martës, si dhe vazhdimin e hapave të mëtejshme.
Në letrën e tij Dehari ka kërkuar sugjerime për opsionet e mundshme. Edhe Presidentja Osmani, në të njëjtën formë, nëpërmjet një letre, ka nënvizuar se deputetët duhet të mblidhen në seancë plenare brenda 48-orëve.
Ajo ka shtuar se është e gatshme të diskutojë nëse është e nevojshme me kryetarët e partive politike.
“Në përmbushje të përgjegjësive kushtetuese si Presidente e Republikës së Kosovës, që kanë të bëjnë me garantimin e funksionimit kushtetues të institucioneve, i përgjigjem kërkesës suaj të pranuar sot në Presidencën e Republikës. Si pikënisje, konsideroj se duhet pasur parasysh, se duke u bazuar në frymën e Kushtetutës, dispozitat që ndërlidhen me konstituimin e institucioneve shtetërore duhet të interpretohen në mënyrë që ta mundësojnë — dhe jo ta pengojnë — themelimin dhe funksionimin kushtetues të tyre”, thuhet në letrën e Osmanit.
Sipas saj, është detyrim i Kryesuesit të seancës konstituive, si dhe i të gjithë deputetëve të zgjedhur në Legjislaturën e Nëntë të Kuvendit që mbledhë Kuvendin.
“Rrjedhimisht, gjithashtu ju rikujtoj se fryma e Kushtetutës, praktika gjyqësore e Gjykatës Kushtetuese dhe Rregullorja e Kuvendit të Kosovës, ju obligon që seancën konstituive ta vazhdoni jo më vonë se brenda dyzet e tetë (48) orëve nga ndërprerja e saj. Andaj, ju ftoj që në përputhje me autorizimet tuaja si Kryesues i seancës konstituive të Legjislaturës së Nëntë të Kuvendit, efektive që nga data 8 prill 2025, ta realizoni seancën konstituive në përputhje me parimet kushtetuese të përmendura më lart, Rregulloren e Kuvendit si dhe legjislacionin në fuqi.”, shkruan Osmani.
Në mbyllje të letrës së saj, Osmani nënvizon se si Presidente e vendit dhe Kreu i Shtetit, në kuadër të kompetencave kushtetuese shpreh gatishmërinë që të mirëpresë kryetarët e partive politike parlamentare për ta diskutuar rrugën përpara, në rast se një gjë e tillë konsiderohet e nevojshme.
/rtsh.al/