Berisha në Zagreb: Do paraqesim para partnerëve ndërkombëtarë shqetësimet për “autokracinë elektorale”

TIRANË, 29 prill /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ndodhet në Zagreb, Kroaci, ku po merr pjesë në forumin e Unionit Demokrat Ndërkombëtar (IDU), organizatë që mbledh liderë politikë, vendimmarrës dhe përfaqësues të partive të qendrës së djathtë nga e gjithë bota.
Në një prononcim për mediet nga Zagrebi, Berisha tha se opozita do të paraqesë para partnerëve ndërkombëtare shqetësimet e saj lidhur me atë që ai e cilësoi si “autokraci elektorale” në Shqipëri dhe pengesat në procesin e integrimit evropian.
Berisha theksoi se çështjet që do të ngrihen lidhen me sigurinë rajonale, procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, si dhe situatën ekonomike në vend.
Sipas tij, Shqipëria po përballet me probleme serioze që, në këndvështrimin e opozitës, lidhen me ndikimin e krimit të organizuar në ekonomi dhe vendimmarrje, si dhe me dobësimin e sektorëve prodhues.
“Probleme madhore që kanë të bëjnë me sigurinë në rajon, probleme madhore që kanë të bëjnë me procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, pengesat shumë serioze që Edi Rama me shtrirjen e Shqipërisë në një autokraci elektorale apo diktaturë autoritare, i ka bërë dhe i bën procesit të integrimit, me ndërtimin e narko-shtetit të parë dhe të vetëm në Evropë, shkatërrimin ose dëmtimin e rëndë të ekonomisë shqiptare për shkak të zhvlerësimit dramatik të euros dhe dollarit, goditjes shumë të rëndë të eksporteve, prodhimit industrial, prodhimit bujqësor”, u shpreh Berisha.
Gjatë qëndrimit në Zagreb, Berisha zhvilloi takime me disa personalitete ndërkombëtare, përfshirë përfaqësues të lartë të vendeve pjesëmarrëse dhe drejtues të organizatës, ku u diskutua mbi situatën politike në Shqipëri dhe zhvillimet në rajonin e Ballkanit.
“Patëm rastin të takojmë personalitetet më kryesore, zëvendëskryeministrin e Kroacisë, nga vendi organizator, mikpritës, presidentin e IDU-së, ish-kryeministrin e Kanadasë z. Stephen Harper, sekretaren e përgjithshme të IDU-së, miq të tjerë, Elmar Brok, një mik gjithmonë i Shqipërisë dhe i Partisë Demokratike, opozitës shqiptare, Kenny Endo, ish-kryeministrin e Irlandës, një nga kryeministrat më të suksesshëm në historinë e atij vendi, dhe shumë personalitete të tjera, të shkëmbejmë mendime shkurtimisht, të debatojmë, diskutojmë për zhvillimet në Shqipëri”, përfundoi Berisha.
/m.q/j.p/