E Martë, 3 Nëntor 2026

Berisha në arrest shtëpie, Rama: Nuk ia bëri PS-ja, me zbardhjen e 21 Janarit do ketë drejtësi të vërtetë

Pas vendimit të Gjykatës së Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit e cila la në arrest shtëpie ish-kryeministrin Berisha, ka reaguar edhe kreu i qeverisë, Edi Rama.

I pyetur nga gazetarët nëse ai e shihte këtë vendim si një fitore të Partisë Socialiste nisur nga kallëzimet e bëra në drejtim të Berishës, Rama tha se PS-ja nuk është organizatë luftarake që eliminon kundërshtarët.

“Kurrë nuk është fitore e një partie arrestimi i dikujt të cilësdo parti. Kjo është në parim. Partitë fitojnë zgjedhje për të çuar përpara vendin. Dhe partitë nuk janë organizata luftarake që funksionojnë për të eliminuar kundërshtarët në një mënyrë apo një tjetër.

Kështu që nuk e shoh absolutisht si një fitore të Partisë Socialiste apo si një fitore të Erionit apo Taulantit që kanë bërë me këmbëngulje dhe me një pasion që ta kishin të gjithë, detyrën e tyre ashtu siç e kanë parë ata të arsyeshme.

Kjo është diçka që nuk ka lidhje fare me dëshirën, objektivin, nevojën për të parë si fitore faktin që cilido qoftë vihet nën trysninë dhe nën masat e drejtësisë”, u shpreh Rama.

Ndërkaq, kryeministri Edi Rama solli në vëmendje edhe një herë 21 Janarin 2011, duke thënë se vetëm me gjykimin dhe zbardhjen e asaj ngjarjeje do të ketë drejtësi të vërtetë sipas Ramës.

“Ashtu sikundër, nga ana tjetër, nuk do të ketë drejtësi në Shqipëri derisa të gjykohet 21 Janari. Këtë di të them unë. Pa u gjykuar 21 Janari dhe pa u vënë para drejtësisë vrasësit dhe urdhëruesit e tyre që janë në fakt vrasësit e vërtetë të 21 Janarit drejtësia do të jetë e gjymtuar moralisht dhe e pamjaftueshme për sa i përket fuqisë së saj”, theksoi Rama.

Më herët, Gjykata e Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit vendosi në arrest shtëpie ish-kryeministrin Sali Berisha. Duke nisur që nga dita e sotme, Berisha do të qëndrojë në arrest shtëpie me mbikëqyrje policore.

Në vendim theksohet se Berisha nuk duhet të largohet nga banesa e tij në rrugën “ Mustafa Matohiti” dhe të mos komunikojë me persona të tjerë përveç atyre që bashkëjetojnë me të.

“Urdhërohet shtetasi nën hetim Sali Berisha, të mos largohet nga banesa e tij e ndodhur në adresën: Rruga “Mustafa Matohiti”, Ndërtesa 36, Hyrja l, Nd. 036, Njësia Administrative nr. 2, Tiranë si dhe të mos komunikojë me persona të tjerë përveç atyre që bashkëjetojnë në të njëjtën banesë me të”, thuhet në vendim ndërsa saktëson se do të mbikëqyret nga punonjësit e policisë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›