E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha në ceremoninë e varrimit të Vaslav Havel

Kryeministri Sali Berisha do të marrë pjesë sot në funeralin shtetëror në nderim të ish- presidentit çek Vaclav Havel, në Pragë. Ceremonia shtetërore do të nisë në orën 12:00 dhe do të zhvillohet në katedralen më të madhe të vendit, St. Vitus Cathedral, në Kështjellën e Pragës.
Kryeministri Berisha dy ditë më parë zhvilloi homazhe edhe në ambasadën çeke në Tiranë për nder të ish-presidentit Havel ku la edhe një shënim në librin e ngushëllimeve.
Kryeministri Berisha ka deklaruar më herët se me vdekjen e Vaslav Havelit kombet e lira në Europë dhe në botë, humbën një nga liderët më të shquar të lirisë së shekullit të 20. Sipas tij kombet ish-komuniste, kombi çek dhe kombet e tjera që përjetuan diktaturat komuniste, kishin tek Vaclav Havel misionarin, frymëzuesin e përpjekjeve të tyre për liri dhe dinjitet por dhe të revolucioneve të tyre paqësore.
Të pranishëm në këtë funeral shtetëror do të jenë gjithashtu edhe zyrtarë të lartë botërorë, si presidenti francez, Nikolas Sarkozi, sekretarja amerikane e shtetit, Hilari Klinton dhe ish-presidenti amerikan, Bill Klinton, kryeministri britanik, Dejvid Kamerun, si dhe shumë personalitete të tjera.
Ish Presidenti çek Havel u nda nga jeta ditën e djelë, në moshën 75-vjeçare, pas një sëmundjeje të rëndë. Vaclav Havel ishte Presidenti i parë dhe i vetëm post-komunist i Republikës Federative të Çekosllovakisë (1989- 1992) dhe Presidenti i parë i Republikës së Çekisë (1993 – 2003).
Ish-dramaturgu i njohur Havel është konsideruar si një prej disidentëve më të fortë anti-komunist në ish-bllokun lindor.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›